Gashi

Spread the love

Gashi është ndër fiset me banim të vjetër në krahinën e Tropojës dhe ka shtrirje të gjerë, jo vetem në Shqiperi, por edhe në Kosovë e Mal të Zi.

Pozicioni gjeografik i ketij fisi është nga ma të preferueshmit e të favorshmit se në fiset tjera. Gjithë territori i tij sapo të lind dielli, mbulohet me rrezet e para te mëngjesit. Vijat kufizuese të Gashit janë të përcaktuara mirë. Ai shtrihet midis dy lumenjeve që ushqejnë Valbonën. Lumi i Tropojës në anën verilindore dhe lumi i Mollarekës në anën jugperëndimore. Zona më e ulët është Sopoti në anën jugore 275 m dhe pika më e lartë ne veri është mali i Shkëlzenit 2406 m mbi nivel të detit. Është i vetmi fis që tokat e Vrrinit me ato te bjeshkëve janë të pashkëputura me njëra-tjetrën çka i favorizon fshatrat e ketij fisi për shtegëtimin e bagetisë në periudhën e veres.

Natyra, Gashit, i dhuroi klimën nga më të mirat për shëndetin e njerzëve, tokat nga më pjelloret, krahasuar me fiset tjera, bjeshkët më të përmendura e me zë në krejt Malësinë. Krojet në çdo fshat, sikur të ishin ujësjellësa, burimet e tjera të bollshme për ujitjen e tokave, janë privelegje që vështirë ti gjesh në zonat e tjera. Jo vetem kaq, por të gjitha fshatrat janë të mbuluara, si me një jorgan, nga masivi shekullor i gështenjave, që nga fshati Shkelzen e deri në Myhejan, ahishtet si një prey mbrojtes, ndajnë fshatrat me bjeshkët e Radesheve e Shkëlzenit, pyjet e Bungut në zonën e ulët e pjerrësira që ndërpriten nga lagjet e fshatrat, përbëjnë vlera të pazëvendësueshme në treguesit ekologjik të ketij vendi.

Gashjanët nuk u mjaftuan me atë ç’ka ua fali natyra, por me punën e tyre të gjallë u bënë mjeshtër të prodhimit. Çdo fshat rriti e zhvilloi me teknikë të lartë frutikulturën duke mbjellur fidana të llojeve të ndryshme si kumbulla, mollë, arra, qershi, dardha, etj si dhe kultivuan rrushin në formë pjergulle pranë çdo shtëpie. Përbërja e tokës ka bërë që të rritet vlera e cilësia e frutave ndryshe nga zonat e tjera.  Tokat e këtyre fshatrave është e përshtatshme për të gjitha kulturat bujqësore si për drithërat e bukës, perimet, patatet, fasulet, frogjeret etj. Të gjitha këto kane bërë që gashjani të ketë kulturë e nivel jetese relativisht të lartë. Për prejardhjen e fisit të Gashit duhet pas parasysh dy aspekte:

Së pari: Gashi që u tha më lart, në fakt quhet “Bardhi” dhe në 16–17 brezat e tij është i besimit mysliman.

Së dyti: Gashi, që bën pjesë Luzha, ka prejardhjen nga Toplana, nga aty ka kaluar në Botushë të Kosovës e më pastaj nga dyndjet ka kaluar në zonën e Tropojës. Luzha para 7–8 brezave ishte e tëra e besimit katolik. Pra në rrjedhën e 16-17 brezave të këtyre dy degëve të Bardhit dhe të Gashit (Luzhës) nuk ka asnjë lidhje gjaku midis tyre. Për të sqaruar prejardhjen e këtyre dy degëve qe aktualisht mbajnë të njëjtin emër Gash, me aq sa është arritur njohja po shkruajmë veças për secilën “degë” apo fis. Në periudhën e pushtimit Osman, në vitin 1485, Sanxhaku i Shkodrës ndahej në katër Kaza: Kaza e Shkodrës, Podgoricës, Pejës dhe Bihorit.

Zona e Gashit të Tropojës bënte pjesë në Kazanë e Pejës që quhej Altun-ilisë (që do të thotë tokë me yndyrë, pjellore). Kjo shtrihej midis Gjakovës – Junikut – Tropojës dhe Suharekës. Ndersa pjesa nga Krasniqja e Nikaj – Merturi bënin pjesë në Kazanë e Podgoricës, qe quhej “Tokat e Pjeter Spanit”, zonë e Pultit të Vogël.

Pjetër Spani, në vitin 1485, (Defteri Osman), ishte i pari i fisit të Gashit (jo Bardhit), që e kishte qëndrën e tij në Selimaj të Geghysenit. Gashi në atë kohë ishte shtritë në Degë, Tpla, Dushaj, Rajë, Geghysen, Gri, Bëtoshë, Curraj Poshtem etj. Kjo vërtetohet në dokumentat të shkruara.

Në vitin 1638, në një rrugëtim të Ipeshkëvit të Sapës, Frang Bardhit, në zonën e Pultit ai shkruan se nga Iballa kalova Drinin dhe hyra ndër popuj të Pultit dhe pasi perëndoi dielli, shkuam në një katun të quajtur Krasteniqja (Krasniqja). Në atë kohë ishte Katundi i Bokës (sot Dushaj Epër).

Të nesërmen, thotë ai, kaluam Valbonën dhe shkuam në një katun tjetër i quajtun Gash, ku qemë pritë me kënaqësi. Ky katund është shumë i madh, 97 shtëpish e 866 frymësh të krishtena. Në Selimaj të Geghysenit ishte qendra e Pjetërspanëve (të parët e Gashit). Aty ishte Kalaja e Lekës e Kisha që Frang Bardhi thotë krezmova 44 frymë.

Pra ky fis është krejt katolik dhe nuk ka lidhje me Bardhët e Gashit.

Në fis të Gashit në atë periudhë bënte pjesë edhe Luzha, e cila ishte shtritë në Curraj të Poshtëm. Në shkrimin për Curraj e Luzhën tregohet largimi i Luzhës nga aty e vendosja në Luzhën e sotme.

Kur ka ardhur fisi Krasniqe për herë të parë ne Katundin e Bokës (Dushaj Epër), pas vitit 1600, aty e në fshatrat e tjera pati gjetur fisin e Gashit. Pra Gashi është me banim më të hershëm në këtë zonë.

Pas largimit të Gashit nga ky vendbanim në zonën e Pultit, u shtri fisi Krasniqe. Këto janë disa nga të dhënat për fisin e Gashit, ku përfshihet edhe Luzha. Përveç shtrirjes së Gashit në kraninën e Tropojës, ai ka një shtrirëje më të gjerë në Kosovë.

Në takimet me disa gashjanë në Gjilan të Kosovës shpjegojnë se Gashi aty ka ardhur nga Drukshtaja, Komuna e Vranjës (Serbia e sotme Jugore) nga Nishi. Prej andej janë ngulur në Kitkë të Hogoshtit, komuna e Kamenices dhe nga aty në Perlepnicë (Gjilan). Gjithashtu dhe në komuna të tjera të fisit Gash që shumica e tyre thonë se e kanë prejardhjen e tyre prej Nishit.

Gashi Bardhë

Fisi i të Bardhet e Gashit ka të dhëna të shkruara, tradita e gojëdhëna që flasin për prejardhjen e këtij fisi. Sipas studimit të bërë e legjendave të grumbulluara nga etnografi i njohur Rrok Zojzi, fisi i të Bardhëvë të Gashit e ka prejardhjen prej Kuçit të Malit të Zi. Kuçi në shekullin 17 ishte akoma fis shqiptar, sot fis serb (e vërtet mbi Kosovën e Shqiptarët në Jugosllavi faqe 21.59.68)

Ndërsa Kahreman Ulqini në shkrimin për fiset e Malësisë së Madhe në mes të tjerave thekson:..Disa nga këto fise kanë zanafillën të përbashkët më njeri-tjetrin dhe me ato të Malësisë së Gjakoves (Hot, Bankeq, Vasoviq, Pipër, Krasniqe, Polobardhë e të Bardhë)…Më 1856 malazezët hynë në Kuçin e Poshtëm, Mirkoja, vëllai i Princit, pren deri kokat e femijëve në djepë, të pleqëve e të sëmurëve në Kosorin ortodoks. Në vitin 1877-1878 malezezët pushtuan bajrakun Radojë, disa fshatra të Kuçit dhe fushën e Zetës. Shqiptarët muslimanë e katolikë, që nuk u larguan, i kthyhen me dhunë në ortodoks. Këto janë ngjarje të vona por vërtetojnë se aty (në Kuçë) kanë qene shumë kohë më parë banorë të besimit musliman, që mendohet se nga këta rrodhën të Bardhët e Gashit.

Gojdhëna thotë se Bardhi i Gashit ka ardhur nga Rafshnalta e Anadollit të Turqisë, sepse ky kishte lindur me ngjyrë të bardhë nga familja me ngjyrë të zezë dhe për të mos ndryshuar racën e braktisi familja duke e çuar në Bjeshkët e Nëmuna. Pasi u rrit dhe u shtua me pasardhës u largua nga aty dhe u vendos në Gosturan.

Në një gojëdhënë tjetër thuhet se Bardhi i Gashit rrjedh nga në familje gashjane nga Kosova dhe është larguar nga atje në vitin 1630 në moshën 37 vjeç, i martuar, me dy femijë. Largimi nga Kosova është bërë nga dyndjet ose nga shkaqe konfliktesh. Fillimisht thuhet se u vendos me banim në fshatin Gosturan. Zona në të cilën u shtri fisi i të Bardhëve, më përpara banohej nga fise ilire.

Në Defterin e Sanxhakut te Shkodrës rezulton se fshatrat Gosturan, Kovaç, Myhejan, Babinë, Shumicë e Berbat në vitin 1485 banoheshin nga fise ilire qe ishin gjysëm sllavizuar.

Siç dihej për katër shekuj (11-14) rrjesht, me pak ndërprerje, krahinat e Shqipërisë Veriore qendruan nën sundimin e feudalëve serbë të shtetit të Dioklesë dhe të Rashës. Në këto kushte historike, kur klasa sunduese në shumicën e saj është sllave, shpjegohet edhe epërsia dhe mbizotërimi i saj politik dhe fetar mbi elementin shqiptar në krahinat e përfshira në shtetin e tyre, në një kohë kur procesi i zhvillimit të një klase feudale shqiptare nuk kishte arritur deri sa t’i lejonte asaj të formonte në këtë territor shtetin e vet feudal me një kishë të veçantë dhe autunominë si të sllavët. Në këto rrethana ishte shumë më e lehtë qe një shqiptar të merrte emrin sllav se sa një sllav te merrte emër shqiptar…

Edhe banorët e fshatrave, që u thanë më lart, nën presionin e pushtuesve serbë, ishin të detyruar të ndërronin emrat nga shqiptarë në ortodoksë serbë, ndërsa prë femijët që lindnin nuk bëhej fjalë. Ata detyrimisht pagëzoheshin me emra sllavë. Kuptohet se banorët e asaj kohe, pavarësisht se ishin me emra sllavë, nuk kanë lidhje gjaku me pushtuesit serbë. Për banorët e hershëm ilirë, që banonin në atë periudhë, (1485), do të shkruhet veçantë, sipas venbanimit të tyre.

Pas atyre fiseve ilire, gjysëm të sllavizuara, sipas thënies së studjuesit Xheladin Gosturanit, në këtë krahinë është shtirë një fis tjetër ilir, qe quhej Scirton dhe me largimin e tij, nëpërmes konflikteve, u shtri fisi i të Bardhëve pas vitit 1600-1650.

Sido që të jetë mënyra e koha e ardhjes së Bardhëve në krahinen e Tropojës, vendbanimi i parë i tyre është Gosturani. Rritja e zhvillimi i brezave në rrjedhen e viteve, krijimi i vëllazërive e fshatrave të këtij fisi paraqitet në skemën e faqes 212.

Nga skema sqarojmë:

Bardhi, i pari i fisit të të Bardhëve, kishte tre djem: Brahim Bardhin, Memi Bardhin dhe Ali Bardhin.

Ali Bardhi është forumuesi i dy lagjëve: i Ahmataj të Epër dhe Ahmataj të Poshtëm. Të gjithë banorët e tyre quhen “Aliaj”.

Memi Bardhi kishte dy djemë: Musë Memin dhe Bekë Memin. Bekë Memia është themeluesi i Begaje. Musë Memia, pasardhësit e të cilit quhen “Musaj”, në të cilën futen Myhejani (Memiaj e Kërtoçi). Kërnaja (me Tahiraj), Hajdarajt dhe Hasaj: (Qeleposhi, Iberhasaj e Agaj në Babinë dhe Hysenukaj në Kërrnaje).

Brahim Bardhi, pasardhësit e të cilit quhen “Brahimaj”, janë rritur shumë në numer dhe shtrihen në terren mjaft të gjerë. Në Brahimaj bëjnjë pjesë: Gosturani (Kocaj e Balibali), Kovaçi (Hoxhaj, Çelaj dhe Sylaj), Haklajt, Babina: (Baliaj, Rrustaj, Madani, Rexhaj, Hajredinaj, Koçaj (Haxhiaj e Lushaj), Shumica: (Zmakaj, Ramaj, Memiaj, Kukaj, Mataj) si dhe Kovaçi në Shumicë: (Nakaj, Jahaj e Sylaj), Mejdani: (Memiaj, Sylaj me Agaj). Brahim Bardhi kishte dy djemë: Isuf Brahimin dhe Hysë Brahimin.

Isuf Brahimi kishte tre djemë: Ali Isufin, dy bijtë e tij janë formuesit e dy vëllazërive në Babinë: “Madani” nga Madan Alia dhe “Rrustaj” nga Rrustem Alia. Zmakë Isufi që kishte pesë djem, nga të cilët rrjedhin pesë vëllazëri: “Baliaj” nga Bali Zmaka, “Memiaj” nga Memi Zmaka, “Kukaj” nga Kukë Zmaka dhe “Mataj” nga Matë Zmaka (janë me banim në Shumicë, (Memijat edhe në Mejdan).

Haklet Isufi, nga i cili rrjedhin Haklajt në Potkam dhe vëllazëria “Balibabi” në Gosturan, me mbiemrin Gosturani.

Hysë Brahimi pati tre djem: Iber Hysa, Çelë Hysa dhe Fetah Hysa. Ky i fundit është larguar për në Kosovë.

Çelë Hysa është formuesi i vëllazërisë “Çelaj” që është shtrirë në Kovaç, Sopot, dhe në Viçedol.

Iber Hysa kishte dy djemë: Elez Ibren dhe Ahmet Ibren. Elezi pati gjashtë djemë, dy nga këta (Dervish Elezi e Shaban Elezi) kanë marrë mbiemrin “Hoxha” e quhen “Hoxhaj”, Sylë Elezi është formuesi i vëllazërisë “Sylaj”, të ciët janë shtrirë në Kovaç, Shumicë dhe në Mejdan. Dy djemtë e tjerë janë vendosur në Shumicë nga të cilët rrjedhin “Nakajt” dhe  “Jahajt”, Betë Elezi ka shkuar në Kosovë.

Ahmet Ibra kishte dy djemë: Haxhi Ahmeti dhe Demë Ahmeti, pasardhësit e të cilëve quhen Kocaj. Nga Haxhi Ahmeti rrodhi vëllazëria “Haxhiaj” qe shtrihet në Babinë. Nga Demë Ahmeti rrjedh vëllazëria Lushaj në Babinë dhe një degë e këtij trungu në Gosturan me mbiemrin “Gosturani”.

Më në hollësi për formimin e vëllazërive të këtij fisi do të flitet në shkrimet për secilin fshat veçmas.

Në fisin Bardh bëjnë pjesë fshatrat: Kovaç, Gosturan, Myhejan, Kerrnajë, Babinë, Begaj, Shumicë e Mejdan. (Luzha këtë kohë, nga ana fisnore varej nga Botusha dhe nuk kishte lidhje me të Bardhët).

Me qenë se Luzha përbënte pakicë në krahinën e Tropojës dhe nuk mund të mbrohej në konfliktet që shprthenin në mes fiseve në atë kohë, ndaj Aga i Botushës erdhi te bajraktari i të Bardhëve në Babinë dhe bënë marrëveshjen dypalshe për kalimin e Luzhës nën bajrakun t’Bardhëve.

Në një studim të bërë për të folmen e Gashit dhe të Krasniqes, në mes te tjerave shkruhet: …. Fisi i Gashit është i formuar nga shkrirja e dy fiseve të dobësuara: nga Bardhët dhe Shipshanët…

Nga përballja e vazhdueshme me pushtues te njëpasnjëshëm, fiset detyroheshin të merrnin masa mbrojtëse duke u organizuar, drejtuar e perballuar këto mësymje. Kështu edhe Bardhët me Shipshanin e më vonë me Luzhen u bashkuan në një fis të vetëm që mori emrin Gashi.

Në shkrimin “Malësorët e Alpeve Shqiptare” shkruar nga austriaku Ernest Von Hesse – Wartegg thekson: “Fisi i Gashit. Banorët e Gashit formojnë dy bajraqe: Shipshan dhe Bardhaj, krahina e tyre shtrihet në rreth 240 km katror. Numëron 500 shtëpi me 3300 banorë. Ata mund të nxjerrin në sheshin e luftes 650 burra të armatosur”.

Nga regjistrimi i popullsisë në vitin 1926, Gashi rezulton të ketë pasë 12 fshatra, 692 shtëpi me 2373 banorë. (Zhenaj në atë kohë ishte fshat më vete me 106 banorë). Në regjistrimin e vitit 1990, numri i popullsisë ishte 3976 banorë.

Fisi i Bardhëve ishte një barjak. Fillimisht bajraku ka qenë në Çelaj te i pari i shtëpisë së Rrustem Groshit, pastaj ka kaluar në Gosturan te Ukë Elezi dhe në fund është vendosurë në Babinë në shtëpinë e Jakup Jakupit. Shipshani në këtë kohë ishte pjesë e fisit të Bardhëve dhe ishte nën bajrakun e tyre. Shtimi i numrit të popullsisë në Shipshan, krijimi i teritorit të vet gjeografik, plotësimi numrit të nevojshëm të burrave për luftë, ishin faktorët kryesorë që Shipshani krijoj bajrakun e vet. Në këtë mqqeënyrë, Gashi si fis u bë dy bajrakë.

Luzha

Luzha bën pjesë në fisin Gash. Është ndër fshatrat e bukur të Tropojës me ekspozicion nga jugperëndimi. Qendra e fshatit ndodhët 295 m mbi nivelin e dietit. Në anën verilindore dhe juglindore rrethohet me kodra të veshura me pyje dushku, shkurre e kullota natyrore me vlera të larta ekonomike e klimatike. Vijat kufizuese të këtij fshati janë të dukshme, ku majat e kodrave ndajnë me Tplanin, Berishën, Bytyçin e Gashin, ndërsa në anën veriperëndimore me Rrogam, Llugaj e Dunishë. Kushtet favorizuese të krijuara nga natyra me toka pjellore, kullota të mjaftueshme natyrore, me bimësi të pasur e të shumllojshme, kanë bërë që banorët e fshatit Luzhë, ekonominë e tyre ta mbështetin në të dy degët kryesore të saj, në atë të bujqësisë dhe të blegtorisë. Fshati Luzhë dallohet për numrin e madh të burimeve të ujit të pijshëm, që shfrytëzohen edhe për ujitjen e tokave. Të tilla burime janë Dlvija në Nigegaj, kroni i Terzisë, i Degës, Bigorit, Plakës, Shkieve etj. Kroni i Pirrave, sipër fshatit me ujë si të bjeshkëve, ka qënë pikë pushimi për shumë e shumë rrugëtarë që kalonin nga Lugina e Tropojës për në Bytyç, Has, Gjakovë etj dhe anasjelltas. Këtu pushonin, pinin ujë, freskoheshin dhe hanin bukë që merrnin per rrugëtim duke u ngjitur shumë të lehtësuar në Qafën e Luzhës, 815 m mbi nivel të detit. Në rrjedhën e viteve, Luzha u konsolidua si fshat dhe u rrit në numër. Marrëdhëniet ndërfisnore në atë periudhë shpesh herë shpërthenin me konflikte dhe këto konflikte prekën dhe Luzhën me Krasniqen, çka u deshën ndërhyrje të fiseve të tjera për shuarjen e tyre e pajtimin midis palëve. Për këtë arsye, Aga i Botushës (Gashi) erdhi në Babinë dhe u takua me bajraktarin e fisit të Bardhëve. Aga i shtroi problemin, se banorët e Luzhës janë pakica të fisit të Gashit në këtë krahinë dhe për të siguruar këta, nga të papriturat që mund të ndodhnin, kërkoj që Luzha të futet nën kujdestarinë (protektoriatin) e fisit të Bardhëve. Të Bardhët, qënë bashkuar me Shipshanin, gjë që edhe bashkimi me Luzhën ishte në interes të tij. Nga ky bashkim lindi emërtimi i ri duke marrë emrin fisi i Gashit. Në këtë mënyrë Luzha u bë pjesë e Gashit në krahinen e Tropojës. Prejardhja e banorëve të Luzhes mendohet se është nga Botusha i fisit Gash ku lidhjet e gjakut midis tyre e vërtetojnë këtë. Sipas librit “Brenga e Ballkanit” të Edit Durham, shkruhet se në Toplanë të rrethit të Shkodrës ishte fisi Gash- dhe nga këtu nga shkaqe konfliktesh, dyndjesh e probleme ekonomike një pjesë e fisit Gashit u ngul në Botushë. Rreth viteve 1600 në disa zona të rethit Tropojë si në Degë, Dushaj, Rajë, Geghysen, Gri, Bëtoshë, Curraj Poshtëm etj. Ishte shtrirë fisi i Gashit me qendër në Selimaj të Geghysenit. Në Buletinin Nr 3 “Studime Filologjike”, të vitit 1977, faqe 140 shkruhet: Luzha del që në vitin 1529-36 me emrin Luzjana me 30 zjarre (shtëpi) dhe 1600 akçe të ardhura. Përsëri në vitin 1582 del me emrin Luzina dhe paguan 1900 akçe. Gjergj Bardhi më 1634 ka shkruar Lusagni. Të Shtjefen Gaspri, Luzha del me emrin Lusia, ndërmjet Bujanit e Krasniqes. Ndërsa në vitet 1529-36 shkon me Nikaj, prandaj thuhet është këndej Valbone. Sipas këtyre dokumenteve thuhet se Luzaja ishte në Curraj-Poshtër, ku kishte edhe kishën që quhet Kisha e Luzajës. Gojdhëna thotë se këta (Luzaja) u ndoqën nga vëllai i vogël i Kolë Bibës, Mark Biba, bashkë me të birin e nipat e tij, afërsisht në gjysmën e shekullit 17. Luzaja kaloi lumin e Valbonës ndërmjet viteve 1634-1671. Vendin e tyre e zunë Currakët (Currajt) dhe janë ngulë në viset e tyre 3 ose 7 shtëpi. Sipas këtyre dokumentave rezulton se Luzha ose luzhianët në atë periudhë ishin pjesë e fisit të Gashit, që u detyruan të kalojnë sa në një vendbanin në tjetrin. Një gojdhënë tjetër thotë se si u ngulën Gashi në Luzhë. Kur nga Toplana shkuan në Botushë disa familje gashiane, me kalimin e viteve u shtua numri i tyre dhe kërkohej vendbanimi i ri për të jetuar. Begollit të Pejës i kishte vrarë djalin një mirditor, që nuk ia kishte marrë gjakun. I botushësi i kërkoj vend tjetër për banim. Begolli i kërkoi që t’i a mirrte gjakun e djalit dhe pastaj do ti plotësonte kërkesen të botushësit. I botushësi shkoi në Mirditë me një paraqitje prej lypsi, i rreckosur, i pa rruar dhe futet në shtëpine e gjakësit dhe i kërkon që të punojë në shtëpine e tij vetëm për bukën e gojës. I zoti shtëpisë e pranon në shtëpi, e vesh e mbath mirë si pjestarë të familjes. I botushësi punoi dy vjet rrjesht pranë asaj shtepie. Një ditë prej ditësh bashkë me një mashkull të shtëpisë shkojnë në pyll për të marrë dru me kafshë. Duke prerë dru gjën rastin dhe me sopatë i bie në kokë dhe e lëshon të vdekur përtoke. Për të vertetuar vrasjen, i botushësi i pret veshin mirditorit e ia çon Begollit në Pejë. Si shpërblim, Begolli i dha botushësit Luzhën, të cilën e kishtë pronë të tij kullosore. Sipas gojdhënës, nga Botusha erdhi Gjon Papa dhe u vendos në Luzhë. Gjonit i lindën tre djem në këtë vendanim. Djemtë ishin: Pap Gjoni, Gegë Gjoni dhe Kolë Gjoni. Me kalimin e kohës, pasardhësit e këtyre vëllazërive u rritën në numër, duke krijuar vëllazëri e lagje të mëdha.

 

Shipshani

Shipshani shtrihet në pjesën verilindore të Tropojës, me ekspozicion kryesisht nga jugu. Kufizohët nga lindja me Kamenicën, nga perëndimi me Majën e Shkëlzenit që i ndan Lumi i Tropjës, nga jugu me fshatin Tropojë dhe nga ana veriore me Bjeshkët e Nemuna. Emri Shipshan është i vjetër dhe ka prejardhje nga gjuha Kumane, por kuptimi i tij se çdo të thotë ende nuk është sqaruar. Komanët, një popull me prejardhje turanike (turke) nga stepat e medha të Rusisë, një pupull endacak, blegtorë, pa vendbanim të përhershëm, por kalorës të patrembur, u futën për herë të parë ne Europen Lindore në vitin 1077. (Xh. Gosturani: Ali Ibra dhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.fq.12). Dokumenta të tjera të shkruara flasin për banim të hershëm të këtij vendi nga disa fise ilire në periudha të ndryshme. Në Defterët e Sanxhakut të Shkodrës të viti 1485, Shipshani del fshat me 42 shtepi, banorë të fiseve ilire gjysëm të sllavizuar, për faktin se e gjithë krahina ishte nën pushtimin serbo-sllav. Kjo vërtetohet edhe nga fakti se shumë vende të krahinës së Tropjës u pagëzuan me emra sllavë. Një nga këto vende është edhe lagja Qeli. Ky emër mbeti që në kohën e sumdimit të serbit Stefan Dushani (1335) kur kishte pushtuar krahinat e Shqiperisë. Në kala të grykës së lumit të Tropojës (që quhet edhe Grad-Qytet) ishin forcat serbe. Përballë këtij qyteti e kalaje (në anën e Shipshanit) kishin ndërtuar burgun, që në gjuhën sllave quhet qeli. Që nga ajo kohë, kjo lagje e mori më vonë emrin Qeli (burgu). Emrat të tillë sllavë ka në të gjitha trevat shqiptare, që serbët e mbajtën vendin të pushtuar për katër shekuj rrjesht me shumë pak ndërprerje. Pushtuesit turqë, pas atyre serbë, përveç të tjerave, bënë regjistrimin e popullsisë (kryefamiljarëve, beqarëve dhe të vejave si dhe të produkteve bujqësore, nga të cilët siguronin taksa të konsideruëshme që vlerësoheshin në akçe (para turke prej serme). Konkretisht në Dëfterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 (në faqen 175) shkruhet se kishte 42 shtëpi, dhe merrnin 4336 akçe në taksa. Në të njejtën kohë edhe Kamenica del fshat me veti me të njejtin emër Kamenicë (gurë – serbisht), 814 m mbi nivelin e detit. Nga kjo kuptohet se Kamenica nuk bën pjesë në Shipshan si territor, por në periudhën e mëvonëshme është populluar me banorë nga Shipshani. Në Defterin e Sanxhakut të Shkodrës të vitit 1485 (faqe 188) shkruhet se Kamenica kishte 8 shtëpi dhe paguante 1170 akçe në taksa. Siç shifet nga të dhënat e mësipërme, Shipshani ishte fshat shumë i madh prej të cilit merreshin taksa të larta nga pushtuesit turq (4336 akçe). Ndërsa Kamenica kishte 8 shtëpi, nga të cilat vileshin 1170 akçe taksë. Banorët e të dy fshatrave mbillnin, përveç kulturave të zakonshme, edhe lin, mel, qoqël ëtj… të cilat nuk janë mbjellur më pastaj. Rrushi ka qenë shumë i zhvilluar pranë çdo familje, nga i cili prodhonin verë. Kjo vërtetohet nga taksat e larta për mushtin në 800 akçe për Shipshanin dhe në 240 akçe për Kamenicën. Gruri rrinte zinte vendin kryesor në bimët e arave. Misri në këtë nuk njifej. Se cë ç’kohë jan larguar këto fise nga këto vendbanime nuk është saktësuar mirë. Vendin e këtyre banorëve e zunë popullsia e fisit ilir Scirton (sipas thënieve gojore të Xh. Gosturanit) dhe pas këtyre në krahinën e Gashit, duke përfshirë Shipshanin si edhe Bytyçin, u shtri fisi i Thaçit. Në një shkrim “E vërteta mbi Kosovën dhe Shqiptarët në Jugosllavi” thuhet: ….”Dy fise malësorësh, Gash e Bytyç kapërcyen lumin e Tropojës, përzunë fisin e Thaçit dhe u vendosen me banim të përhershëm në këtë vend që gjeografikisht i përket Dukagjinit….”. Përveç fiseve që u theksuan më lart, në Shipshan ka kaluar me banim edhe fisi i Kuçit të Malit të Zi, i cili është vendosur në Kuçanë. Edhe ky fis u largua si dhe fiset e tjera pa lënë pasardhës në këtë krahinë. Pas gjithë këtyre dyndjeve të njëpasnjëshme rreth viteve 1600-1650 është vendosur i pari i Shipshanit të sotëm në këtë vendbanim. Për popullimin e Shipshaint me paraardhësit e banorëve të sotëm qarkullon kryesisht një gojëdhënë: Thuhet se erdhi Kall Kamberi (i pari i Shipshanit) nga Kuçi, që kishte grua Hanën dhe u vendos me banim përtej Qafës së Kolçit. Në shtëpinë e tyre shkuan shumë vizitorë (për të parë Hanën, sepse ishte shumë e bukur). Këto vizita në fund u kthyen në konflikt dhe “Kalla” u detyrua të largohet me gruan që andej dhe u vendosë rrogëtar te Zajmi i Gashit. “Kallës” i vdiq gruaja. Pas ca kohësh, vajza e Zajmit thonë doli shtatëzanë me rrogëtarin. Vajza thuhet se ishte sakate etj. etj. Këta (Kalla e vajza), pasi i fali Zajmi (Babai i vajzës), thonë “po i çojmë në një vend të shkretë, të pabanueshëm dhe thonë se i çuan në Shipshan. Identike si kjo gojëdhënë, ndeshen edhe në krahina të tjera të Malësisë së Gjakovës, të Malësisë së Madhe, në Malësitë e Malit të Zi, biles edhe në Bullgari, Itali etj. Në qoftë se kihet parasysh dokumentacioni i shkruar, që u tha më lart, Shipshani ishte i banuar që në vitin 1077. Çka nuk ka ose nuk dihet ndonjë dokument i shkruar deri më sot për ndonjë fshat tjetër me këtë vjetërsi banimi. Lind pyetja: Pse, asnjë i vjetër apo i ri nga Gashi e Shipshani nuk e mësoi emrin e bijës (Gashi) apo të nënës së vet (Shipshani), në një kohë që thonë me “kompetenca” e në hollësi emrin e gruas së rrogëtarit duke e përshkruar në detaje pamjen e rrugën e saj. Pse u dika se nëna e të parëve të Shipshanit ka qenë “sakate”, u ditka si u vendos në Shipshan, si e rregulloj stanin, si i lindën fëmija, si i rriti ata dhe çfarë jastëkesh futnin nën kokë, ndërsa emri i saj nuk u mësua kurrë. Trashigimia brezë pas brezi  e kësaj gojëdhëne e lanë enigmë të vërtetën e zhvillimit të ngjarjeve, nga ana tjetër ka bërë që Shipshanit i vjen më mire t’i thuash se nëna e parë e juaj ka qenë sakate se sa t’i thuash ajo ka qenë femër e bukur etj. Pse? Banorët e sotëm të Shipshanit, duke iu referuar brezave, janë pothuaj të një harku kohor me banorët e fiseve të tjera. Në vendosjen e fiseve në krahinën e Tropojës ka një ndryshim esencial me banorët e Shipshanit për faktin se të gjithë fiset kanë prejardhje nga vende të ndryshme (siç jan përshkruar), ndërsa banorët e Shipshanit janë autokton, vendali. Ata linden dhe u rriten në Shipshan, pavarësisht se kush ishte nëna e tyre, “sakate” apo e shëndetshme, se cili ishte babai e nga erdhi. Të gjitha fiset e tjera, kur erdhën në Malësi, nuk ishin individë të vetmuar, përkundrazi, ata përbënin familje, përbënin bashkësi gjaku, që forumuan fiset përkatëse. Cilidoqoftë dhëndërri (Kalla apo ndonjë Kall tjetër), që e morri vajzën e t’Bardhëve (Gashit), ai ishte një individ apo person i veçantë, pa asnjeri të farefisit të vet, u vendos në Shipshan, ku i lindën tre djem: Gega, Buça dhe Papa. Emrat e tyre të besimit katolik (nënë muslimane), tregon marrëdhënie jo normale me prindrit e vajzës ose fisin e t‘Badhëve. Ndërsa të gjithë pasardhësit e të tre vëllezërve janë pagëzuar me emra muslimanë. Në rrjedhen e viteve u shtua numri i familjeve dhe i popullsisë dhe u krijuan vëllzëri e vendbanime të reja. Pozicioni gjeografik ka bërë që Shipshani të përballet me shumë vërshime të pushtuesve të herpashershëm ndaj trevave shqiptare. Nga ana tjetër edhe konfiktet ndërfisnore ishin të pranishme, gjë që popullsia e Shipshanit nuk mund t’i përballonte i vetmuar, ndaj u muarrën nën protektoriatin (mbikqyrjen) e të Bardhëve. Në një studim të Xh. Gosturanit për të folmen e Gashit dhe të Krasniqës, në mes të tjerave, shkruhet: “…Fisi i Gashit është forumuar nga shkirja e dy fiseve të dobësuara: nga të Bardhët dhe Shipshanët…” (fq. 169-172). Kështu, Shipshani u bë pjesë e fisit të Gashit.

 

Studiuesi austriak Ernest Van Hesse – Vartegg në shkrimin e tij “Malësorët e Alpeve Shqiptare”, botuar në gazetën “Shkëlzeni” (25 prill 1990) shkruan: “Fisi i Gashit: Banorët e Gashit formojnë dy barqe Shipshan dhe Bardhaj. Krahina e tyre shtrihet në rreth 240 km katror. Numëron 500 shtëpi me 3300 banorë. Ata mund të nxjerrin në sheshin e luftës 650 burra të armatosur.” Nga kjo kuptohet se fisi bëhej i fortë kur kishte një numër relativisht të lartë luftëtarësh. Luzha në këtë kohë ishte pakicë e fisit Gash të Botushës (Kosovë) dhe ishte e pafuqishme për t’u vetmbrojtë nga konfliktet që ndodhin në mes fiseve, ndaj Agai Botushës u takua me Bajraktarin e të Bardhëve në Babinë dhe ia dha këtij të fundit Luzhën nën Bajrakun e tij. Kështu Luzha u asimilua dhe u bë pjesë e tij. (Këto ngjarje kanë ndodhur rreth viteve 1830-1850). Pas këtyre bashkimeve të fisit të të Bardhëve me Shipshan dhe Luzhë, të tre së bashku morën emrin fisi Gash.

Kështu fisi i Gashit u bë me solid, më kompakt dhe më i fortë për të përballuar situatat e rrezikshme që mund t’i kanoseshin.

 

Ibrahim K. Malaj “Tropoja në Breza”



Spread the love