Testohet një pasardhës i familjes Dukagjini

Spread the love

Përditësuar: Tetor 2020

Me përpjekjet e vullnetarëve të projektit “Albanian Bloodlines” në FamilyTreeDNA, arritëm që të testojmë një pasardhës të konfirmuar të familjes Dukagjini. I testuari quhet Omar el Adli Beg Dukagin-zade dhe është pasardhës dhe një nga trashëguesit e Ahmed Pasha Dukagin-zade, i cili shërbeu si Vezir i madh në Perandorinë Osmane nga viti 1512 deri 1515. Sipas hulumtimeve që kemi bërë në lidhje me gjenealogjinë e familjes Dukagjini, Ahmed Pashë Dukagjini ishte djalë i Nikollë Dukagjinit i cili ishte nip i Pal Dukagjinit.

Testi i tij ka rezultuar J-PH1751. Pra, Dukagjinët, që ishin një prej familjeve kryesore feudale të Arbërisë, duhet t’i kenë takuar haplogrupit Paleo-Ballkanik J2b-L283 dhe nëngrupit të tij J-PH1751, një ndër nëngrupet karakteristike për etninë shqiptare, e veçanërisht nën Gegët, nga ku rrjedhin edhe disa fise të shquara veriore shqiptare. Deshim të shtojmë se ka teza që pretendojnë se Dukagjinët janë me prejardhje Normane apo Gjermanike. Sipas këtij rezultati, kjo nuk qëndron.

 

 

Big Y-700 i familjes Dukagjinzade

U përfundua edhe testi me rezolucion të lartë, Big Y-700, i të testuarit të lartëpërmendur. Si rezultat, pozicioni filogjenetik i familjes Dukagjinzade më specifikisht është: J-PH1751>Z38299>Y46913>Y47962. Degëzimin e fundit, pra J-Y47962, e ndajnë me një familje nga Lezha dhe një tjetër nga Sicilia, i cili ka traditë familjare Arbëreshe. Vlerësojmë se ky mutacion ka ndodhur në një paraardhës të tyre në vijë atërore që ka jetuar rreth 650 vite me parë. Kjo i bie rreth vitit 1370, pra periudha kur kanë sunduar Dukagjinët. Kështu që familjet e testuara nga Lezha dhe Sicilia po ashtu duhet të rrjedhin nga Dukagjinët, ose të paktën janë të afërmit e tyre për nga linja atërore. Me thellimin e analizës së të tjerëve që janë të përcaktuar në nëngrupin J-PH1751, ka mundësi që edhe familje të tjera të bien nën J-Y47962. Deshim të përmendim që këto familje që janë nën J-Y47962, më së afërmi lidhen me fisin Krasniqi, Nikaj, dhe një pjesë e Gashit të Gurit në një distancë rreth 850 vite më parë ne paraardhësin e përbashkët, pra tek degëzimi J-Y46913 ose J-Y52453.

 

Referenca:

http://www.albanianhistory.net/1956_Vlora/index.html

http://www.albanianhistory.net/1515_Musachi/index.html



Spread the love

Leave a Reply