J-Y21045>PH4679>Z38300

Spread the love

J-Y21045 rrjedh nga haplogrupi J2b-L283 dhe dega kryesore e tij, J-Z638. Duke filluar para rreth 3800 viteve, J-Y21045 ose J-PH2967 në FTDNA ndahet në dy degë: J-YP9 e cila është vërejtur në Sardenja dhe J-PH4679 që kryesisht vërehet në Shqipëri veriore. Sipas YFull (v8.04.01), mutacionet që përcaktojnë J-PH4679 formohen para rreth 3800 viteve, ndërsa paraardhësi i fundit ka jetuar para ~3400 viteve. Nisur nga fakti që kemi ADN antike që ishte pozitive për J-Y15058 në Dalmaci datuar para rreth 3600 viteve, pra dega vëllazërore e J-Z638, dhe shpërndarja e lartëpërmendur, mund të thuhet se me shumë gjasa origjina e J-PH4679 është rreth Adriatikut, gjegjësisht Ballkani perëndimor. Degëzimet në Shqipëri brenda J-PH4679 datojnë që nga periudha e bronzit. Duke konsideruar vjetërsinë e degëzimeve dhe shpërndarjen gjeografike të kufizuar, mund të hamendësohet se nëngrupet brenda kësaj dege janë me prejardhje nga fiset Ilire qe kanë jetuar rreth territorit të sotshëm të Shqipërisë, mirëpo kjo mbetet të vërtetohet në të ardhmen nga eshtrat e ADN të asaj kohe.

Skema e J-Y21045

Fillimisht, J-PH4679 ndahet në dy degëzime rreth 3400 vite më parë: J-Z38300 me shpërndarje kryesisht në Shqipëri veriore, ndërsa degëzimi tjetër është vërejtur në një klaster të vllehëve nga Voskopoja dhe Dukas (Fier), karakterizuar nga DYS388=17 dhe DYS389II=29 (Bosch et al. 2006). Është interesante se ky degëzim deri më tani është karakteristik në disa vlleh të Shqipërisë. Sidoqoftë, kjo dëshmon që së paku një pjesë e vllehëve dhe shqiptarëve kanë prejardhje të përbashkët nga popullatat antike që kanë jetuar në këtë rajon. Më pas, rreth periudhës së vonshme të bronzit, J-Z38300 ndahet në dy degëzime që dihen gjer më tani, J-Y161916 dhe J-Y20899. E para me një shpërndarje shumë të kufizuar, vërejtur në krahinën e Matit, ndërsa J-Y20899 formohet para rreth 3200 viteve, dhe ndahet në dy degë që lidhen tek paraardhësi rreth 2200 vjet më parë: J-Y85522 dhe J-PH1751.

J-Y85522

J-Y85522 ka një shtrirje të kufizuar në zonën e Mirditës dhe Pukës, kryesisht si linjë karakteristike e fiseve Oroshi, Spaçi dhe Kushneni. Sipas testeve të thella nga dy të testuar të fiseve në fjalë dhe analizës se Y-STR, vlerësohet se paraardhësi i fundit i tyre ka jetuar para rreth 550 viteve. Kjo vërteton që fiset në fjalë janë homogjen dhe rrjedhin nga i njëjti paraardhës, ashtu siç na thotë edhe tradita shekullore e këtyre fiseve trashëguar brez pas brezi.

J-PH1751

J-PH1751 përbën shumicën absolute të J-Z38300. Është një ndër nëngrupet karakteristike për etninë shqiptare. Sipas testeve të deritanishme me rezolucion të lartë, paraardhësi i gjithë J-PH1751 ka jetuar para rreth 1300 viteve. Njëkohësisht, këta teste sugjerojnë për një ekspansion demografik të madh duke filluar nga mesjeta e hershme. Bazuar nga haplotipet e studimeve shkencore si dhe të testuarit, ka shpërndarje pothuajse në gjitha trevat shqiptare, duke përfshirë edhe zonat ku historikisht shqiptarët kanë patur prezencë, siç është Greqia dhe Italia jugore. Gjithashtu vërehet edhe në shtetet përreth, e në rajon, në një sasi të ulët. Sipas moshës dhe shpërndarjes, mund të thuhet se ka ngjashmëri me R-Y32147 (brenda R1b-Z2705). Koncentrimi më i lartë vërehet në pjesën veriore të shqiptarisë dhe gradualisht zvoglohet jashtë kësaj zone. Veçanërisht në Kosovë, ku sipas të testuarëve te deritanishëm përbën rreth 20% të linjave atërore. Bartësit e këtij mutacioni në Kosovë në shumicë u përkasin fiseve veriore shqiptare, siç janë: Krasniqi, Nikaj, një pjesë e fiseve Gashi, Kastrati, Thaçi, etj.

J-PH1751 sipas testeve të thella dhe YFull

Testet e thella kanë mundësuar zbulimin e disa nëngrupeve brenda J-PH1751, si dhe na japin një ide rreth prejardhjes dhe ekspansionit të shpejtë. Është interesante se deri më tani vetëm një familje nga Kërçova (me origjinë nga rrethi i Krujës) janë testuar PH1751+ dhe Z38299- (në YSEQ). Ndërsa gjithë të tjerët që janë testuar më thellësisht janë pozitiv edhe për mutacionin e mëposhtëm, J-Z38299. Kjo sugjeron se origjina e vetë J-PH1751 mund të jetë midis zonës së Krujës dhe Mirditës (ku gjendet dega vëllazërore J-Y85522). Sidoqoftë, mbetet të shihet çka do mësojmë nga testet e thella të ardhëshme, si dhe mbi të gjitha ADN nga eshtrat e lashta. Brenda J-Z38299, deri më tani veçohen së paku 6 linja paralele, tre prej tyre (Kërçovë, Vlorë, Sanxhak) formojnë linja të veçanta, ndërsa tre nëngrupe tjerë janë si vijojnë:

  • J-PH1751>Z38299>FT134628 (paraardhësi ~1100 vjet më parë). Deri me tash përbëhet nga dy familje nga Prizreni me origjinë të ndryshme. Njëri i përket fisit Berisha, kurse tjetri është me prejardhje më të largët nga Luma. Në të ardhmen ka mundësi të vërehet edhe në të testuar tjerë në rajonin Shqipëri verilindore – Kosovë.
  • J-PH1751>Z38299>Y46913,Y52453 (paraardhësi ~850 vjet me parë). Përmban fiset Krasniqi, Nikaj, dhe një pjesë të Gashit. Njëkohësisht, vërtetohet tradita se fiset Krasniqi dhe Nikaj kanë prejardhje të përbashkët, megjithëse paraardhësi mund të ketë jetuar më përpara se sa pretendojnë gojëdhënat. Ndërsa një i testuar nga Lezha përbën linjë paralele me një person nga Sicilia, përcaktuar nga J-Y47962 dhe lidhen në një distancë rreth 600 vjet deri tek paraardhësi i përbashkët. Kjo dëshmon se paraardhësi i të testuarit nga Sicilia ka qenë me prejardhje Arbëreshe.
  • J-PH1751>Z38299>Y190804. Është vërejtur në të testuar nga Pulia (Itali jugore).

Përveç nëngrupeve të lartëpërmendura që janë zbuluar nga testet e thella, veçohen edhe do haplotipe tjerë të J-PH1751 që nuk janë testuar më thellësisht, siç janë: Një pjesë e fisit Kastrati me DYS385b=15 dhe CDYb=40 (konfirmuar Z38299+). Thaçi nga Kamenicë, Kosovë me DYS438=10. DYS385b=14 vërejtur në zonën Lushnjë-Tiranë (konfirmuar Z38299+). Një pjesë e Gashit të Gurit me DYS458=15, të cilët janë brenda J-Y46913 apo J-Y52453 në FTDNA. Pra, i njëjti nëngrup ku janë fisi Krasniqi dhe Nikaj, mirëpo mbetet të shihet si është lidhja më preçize me fiset e lartëpërmendura kur njëri prej tyre thellon analizën.

Personalitetet e shquara të kësaj dege

Gjomarkaj: J-Y85522. Janë familje e shquar në krahinën e Mirditës, njohur si shtëpia e Kapidanit. I përkasin fisit Markolaj të Oroshit, që pati kapidanllëk dhe kajmekamllëk të trashëgueshëm që në kohën e Perandorisë Osmane e deri me ardhjen e komunistëve në pushtet më 1944.

 

 

Çerçiz Topulli: J-PH1751. Ishte ushtarak në Perandorinë Osmane, kryetar çetash në periudhën e Lëvizjes Kaçake dhe veprimtar i çështjes kombëtare bashkë me vëllaun, Bajo Topullin.

 

Bajram Curri: J-PH1751. Ishte udhëheqës popullor, ushtarak, senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920. Hero i Popullit shqiptar, me prejardhje nga fisi Krasniqi, Tropojë.



Spread the love
About Flor Veseli 11 Articles
Flor Veseli - Projekti Shqiptar i ADN-së

Leave a Reply