Përditësuar: Tetor 2020
Kohë më parë doli një Big Y-700 nga i testuar i fisit Hoti i Malësisë së Madhe, vëllazëria Gojçaj. E dinim që janë nën J-Y21878>CTS11100 (brenda haplogrupit J2b-L283, degës J-Z638), ndërsa Big Y-700 zbuloi që “Hoti Cluster” formon degë të re dhe të veçantë me një të testuar nga Sllovenia, përcaktuar nga J-Y166564 ose J-BY201552 në FTDNA. Kjo degë fillon të formohet rreth 3500 vite më parë, kurse paraardhësi i fundit midis “Hoti Cluster” dhe të testuarit nga Sllovenia vlerësohet të ketë jetuar para rreth 1800 viteve. Deri më tani kjo degë është vërejtur vetëm në ballkanin perëndimor, keshtu që duke konsideruar vjetërsinë dhe të dhëna të tjera nga ky haplogrup, mund të thuhet se sipas gjasave është me prejardhje më të largët Ilire.
- Për më shumë në lidhje me fisin Hoti: http://www.gjenetika.com/fisi-hoti/
- Për më shumë mbi haplogrupin J2b-L283: http://www.gjenetika.com/perberja-gjenetike-e-shqiptareve-sipas-linjave-aterore-2019/#J2b-L283
J-FT124757 (Hoti Cluster)
Para disa ditëve, doli edhe një test i thellë nga fisi Hoti. I testuari i përket vëllazerisë Gjonaj nga Rrapsha, Malësi e Madhe. Brenda J-Y166564, ndan së paku 13 mutacione private me te testuarin e vëllazërisë Gojçaj nga Traboini, Malësi e Madhe. Kështu që u zbuluan mutacionet paraardhëse të “Hoti Cluster” të cilët janë J-FT124757 plus 12 tjerë. Vlerësohet së keto mutacione kanë ndodhur në paraardhës të fisit Hoti që kanë jetuar para midis 1800 dhe 520 viteve. Pra, sipas këtyre testeve, paraardhësi i fundit i dy Hotjanëve në fjalë ka jetuar para rreth 550 vitesh. Sipas gojëdhënave, keto dy vëllazëri përpiqen tek paraardhësi i fundit i fisit Hoti, gjegjësisht Gegë Lazri. Në të ardhmen, më shumë teste të thella nga ky fis do të japin një preçizitet më të mirë rreth vlerësimit të moshës, si dhe do mundësojnë zbulimin e degëzimeve brenda fisit Hoti.
Në Projektin Boshnjak të ADN-së, ka familje nga Sanxhaku që i përkasin të njëjtit nëngrupi dhe mbahen me fis Hot. Njëri prej tyre poashtu ka bërë testin e thellë dhe është pozitiv për të njëjtat mutacione që janë të testuarit e fisit Hoti, kështu që gjenetikisht konfirmohet se është me prejardhje nga fisi Hoti.
Vlen të përmendet që ka edhe shqiptarë tjerë, si dhe një Grek, që i takojnë J-CTS11100>Y166564>”Hoti Cluster” dhe që nuk i përkasin fisit Hoti. Sipas analizës së Y-STR, këto haplotipe janë më të largët se sa që Hotjanët janë mes veti, por definitivisht duhet te jenë pozitiv për disa mutacione në nivel të J-FT124757. Veçanërisht familja nga komuna e Bujanocit, me prejardhje më të largët nga rrethi i Shkodrës, që janë të testuar deri më Y67. Distanca gjenetike midis tij dhe te testuarëve nga fisi Hoti është ~10/67, kurse pesë Hotjanë nga vëllazëri të ndryshme janë ~5/67 mes veti. Pra, pritet që të lidhet me paraardhësin e fisit Hoti dikund midis 1800 dhe 550 vjet më parë. Testi i thellë i kësaj familje (BigY ose WGS), do të vlerësonte këtë lidhje me një preçizitet te lartë.
Vëzhgime gjenetike
Duhet theksuar se sa i përket legjendës që pretendon se fisi Hoti, Piperi, Vasojevici dhe Krasniqi, rrjedhin nga i njëjti paraardhës, nuk qëndron sipas rezultateve gjenetike, pasi secili prej këtyre fiseve u takon haplogrupeve të ndryshme, ose degë tjetër në rastin e fisit Krasniqi. Megjithëse, është e mundur të ketë ndonjë lidhje ndërfisnore nga familjet anase. Gjithashtu, duke pasur parasysh testet tjera, siç është familja e lartëpërmendur nga Bujanoci, rezultatet gjenetike sugjerojnë që paraardhësi i J-FT124757 (Hoti Cluster) ka jetuar në rrethinën e Shqipërisë veriore të paktën në 1000 vitet e fundit. Mirëpo, duke konsideruar rezultatin nga Sllovenia, është e mundur që të ketë lëvizur nga zonat Ilire më në veri gjatë antikitetit të vonshëm/mesjetës së hershme, nën presionin e migrimeve të asaj periudhe.
Leave a Reply
You must be logged in to post a comment.