J-Y23094 është një ndër degëzimet kryesore brenda degës J-Z638 të haplogrupit J2b-L283. Mes nesh, është degëzimi i dytë i këtij haplogrupi për nga dendësia, pas J-Y21045. Sipas YFull (YTree v8.06.01), paraardhësi i fundit i gjithë J-Y23094 vlerësohet se ka jetuar rreth 3200 vite më parë. Shpërndarja kryesore vërehet në Ballkan, Itali, dhe Europë veriperëndimore. Megjithatë, duke konsideruar që shumica e nëndegëve të J-Y23094 kanë prani në të dy anët e Adriatikut, dhe ADN antike nga haplogrupi J2b-L283, origjina më e mundëshme është rreth detit Adriatik, ndoshta fillimisht si një nendegë e fiseve Proto-Ilire.
Prezenca në Pulia dhe Abruco te Italisë është veçanërisht interesante. Distanca me nëngrupet shqiptare daton rreth 3200 vjet në paraardhësin e fundit të perbashkët, pra, përputhet fort mirë me afatin kohor dhe vendin e shpërnguljes së fiseve Ilire, siç ishin Mesapët, në anën tjetër të Adriatikut që thuhet se ka ndodhur rreth shekullit 9 para Krishtit. Ndërsa prania në Europën veriperëndimore, ose të paktën një pjesë, mund të jetë si rezultat i trupave Romake të rekrutuara nga Ballkani dhe më gjerë. Deri me tani janë konfirmuar dy nëndegë në Ballkan: J-Y82533 dhe J-Y80036, që të dyja gravitojnë në Ballkanin perëndimor dhe në fakt të dyja kanë lidhje më të afërt në Europë perëndimore, rreth 3000 vjet deri tek paraardhesi i përbashkët. Me testime të mëtejshme, ka mundësi të zbulohen edhe nëndegë të tjera të J-Y23094 në rajon.
J-Y82533 (nga Ilirët në proto-shqiptarët?)
Shumica e madhe e J-Y23094 mes nesh përbën nengrup të veçantë, percaktuar nga J-Y82533 ose J-BY84408 në FamilyTreeDNA. Sipas testeve me rezolucion te lartë, paraardhësi i fundit i gjithë J-Y82533 llogaritet se ka jetuar rreth 1800 vite më parë – periudha në antikitetin e vonshëm. Dendësia më e lartë vërehet rreth Malësisë së Madhe (më konkretisht në Shkrel, Grudë, Kelmend), por është vërejtur edhe në zona të tjera; Shqipëri qëndrore, Toskëri, e më tej deri ne Greqi. Ky karakter sugjeron se ka qenë një ndër nëngrupet integrale Arbërore. Brenda J-Y82533, deri me tani janë zbuluar dy degëzime, J-Y82978 dhe J-FT133538. Që te dyja kanë prezencë në Malësi të Madhe (e para në Shkrel, kurse e dyta në Grudë), kështu që mund të hamendësohet se paraardhësi i J-Y82533 ka jetuar rreth asaj zone. Edhe pse, duke konsideruar legjendat e origjinës së fiseve në fjalë, ka mundësi të ketë lëvizur nga zonat Ilire më në veri gjatë antikitetit të vonshëm ose mesjetës së hershme. Megjithatë, duhet theksuar se deri më tani kjo nëndegë nuk është konfirmuar në asnjë shembull më në veri se sa fiset shqiptare të Malit të Zi.
Testet me rezolucion të lartë kanë mundësuar zbulimin e disa grupimeve brenda J-Y82533 të cilët janë si vijojnë:
- J-Y82533>FT133538 (paraardhësi ~1300 vite më parë). Është vërejtur në Grudë (vëllazëritë Bojaj dhe Kalaj, të cilët përbëjnë nëngrup të afërt mes veti) dhe në Peloponez, Greqi. Bazuar nga distanca gjenetike dhe rajoni, kjo lidhje më së miri mund të shpjegohet me lëvizjet e dokumentuara Arvanitase që janë vendosur në ato zona të Greqisë gjatë mesjetës. Sipas gjasave, duhet të vërehet edhe në shqiptarë të tjerë në të ardhmen.
- J-Y82533>Y82978, paraardhësi ~1400 vite më parë, ku më pas ndahet në dy degëzime siç vijojnë:
- J-Y82533>Y82978>CTS8786 (paraardhësi ~700 vite me parë). Përcakton nëngrup karakteristik të fisit Shkreli, përbërë nga pjesëtarë te fisit Shkreli nga Malësia e Madhe dhe Sanxhaku. Njëkohësisht, kjo vërteton se pjesëtarët e fisit Shkreli të Sanxhakut të Serbisë kanë prejardhjen nga ky fis shqiptar i Malësisë së Madhe.
- J-Y82533>Y82978>Y82348 (paraardhësi ~300 vite me parë). Përbëhet nga një mostër shqiptare nga Tirana nga studim shkencor, dhe njëri nga rajoni i Gollobordës, Bulqizë.
Përveç këtyre, ekzistojnë edhe haplotipe të tjerë të J-Y82533 që nuk janë testuar më thellësisht. Nga këto mund të veçojmë haplotipi i vëllazërive Ivezaj dhe Sinishtaj nga Gruda (nuk kanë lidhje të afërt me Bojaj/Kalaj të Grudës), një haplotip në Nikç Kelmend, dhe një tjetër në zonën e Dibrës. Testet e mëtejshme me rezolucion të lartë do të kontribuojnë në zhvillimin e skemës si dhe do të përcaktojnë lidhjet preçize midis haplotipeve dhe testeve të tjera me rezolucion të lartë.
J-Y80036
J-Y80036 ose J-FT278595 në FamilyTreeDNA është degëzimi i dytë i J-Y23094 që është vërejtur në Ballkan. Ka një shpërndarje më të kufizuar. Deri më tani është vërejtur në Shqipëri, Resnjë Maqedoni, dhe në Plovdiv Bullgari. Ka mundësi të konfirmohet edhe në Shqiptarë të tjerë e më gjerë rreth rajonit në të ardhmen, ndoshta si nëngrup më specifik në Toskëri.