Gjeografi
Hoti është një zonë bjeshkore e Malësisë së Madhe në pjesën veriore të trojeve shqiptare që tani ndodhet nën administrimin e Malit të Zi. Hoti, një ndër pesë bajraqet e Malësisë së Madhe, është ndër më të vjetrit, por edhe ndër më të rëndësishmit e kësaj treve. Emërtimin e parë në dokumente të vjetra e gjejmë në vitin 1414 me “Certi Hocti” (disa hoten), çfarë tregon për një popullsi jo të madhe të këtij Mali.
Antropologji
I pari i fisit Hoti është quajtur Keq Preka. Sipas traditave gojore, thuhet që Keq Preka është ardhur në territorin e sotshëm të Hotit rreth vitit 1520. Gojëdhëna tregon se ai shkoi në Piper meqë e ndiqnin sllavët. Atje ai pati gjashtë djem: Lazer Keqin, Ban Keqin, Merkot Keqin, Kastër Keqin ,Vas Keqin, dhe Piper Keqin. Lazer Keqi ishte vendosur në trojet e Hotit, ndërsa Ban Keqi në Triepsh. Të tjerët sipas emrave (homonimeve) të krahinave që njohim sot. Djali i Lazër Keqit, Gegë Lazri pati katër djem: Pejç (Pjeter) Gegën, Gjon Gegën ,Laj (Lajç) Gegën, dhe Jun (Junç) Gegën. Pjeter Gega themeloi katundin Traboin i cili ka 180 shtëpi me 1600 frymë, ndersa tre djemt e tjerë themeluan fshatin Rapshë që ka 190 shtepi me 1150 frymë.
Në Hot sot jetojnë edhe trashëgimtarët e banorëve që i thërrasin “anas” apo vendas. Më saktë banoret që gjetën në Hot kur erdhi Lazer Keqi me të birin Gegën. Sipas Llesh P. Smajlaj, nga fisi Anas kemi keto vëllazëri: Në Stare vllazëria e Dakë Hasanit dhe e Cak Hasanit. Në Rapshë vëllazëria Locaj. Në Bozhaj kemi dy vëllazëri të Martin Pecit. Anas janë edhe disa shtëpi që edhe sot e ruajnë mbiemrin “Junçaj” të cilët mendohet se janë trashëgimtar të Junç Hotit, kryeparit të malit të Hotit që quhej Kapetan (capitaneus montanee Ottorum ) në vitin 1434, dhe nuk kanë lidhje gjaku me fisin tjeter Junçaj që janë trashëgimtar të Junçit, djalit të Gegë Lazrit.
Gjenetikë
Të testuarit e fisit Hoti nga Projekti Shqiptar i ADN-së që rrjedhin nga Lazer Keqi dhe nga vëllazëri të ndryshme, i takojnë Y haplogrupit Paleo-Ballkanik dhe Proto-Ilir, J2b-L283. Më specifikisht: J-L283>>Z638>Z1297>Z1295>Y21878>CTS11100. Sipas analizës së Y-DNA markerëve, të gjithë përbejnë një ‘kluster’ të afërt. Dhe sipas kësaj analize, paraardhësi i fundit i tyre ka jetuar para 400-700 viteve, që koincidon kur ka jetuar i pari i tyre, Lazer Keqi. Rrjedh pyetja, a dëshmon gjenetika traditën që fisi Hoti është fis vëlla me Trieshin, Krasniqin, Piperin, dhe Vasojeviqin; si dhe a ka ndonjë provë gjenetike që këta janë të ardhur nga rajoni i Bosnjës vetëm rreth shek. 15? Çka dihet deri tash, përgjigjja e thjeshtë është jo dhe jo. Të testuarit e deritashëm të fiseve Trieshi (Bankeq), Vasojeviqi dhe Piperi u përkasin haplogrupeve të tjera, kurse të fisit Krasniqi edhe pse i takojnë haplogrupit të njëjtë, nuk janë në të njëjtin degëzim me fisin Hoti. Më specifikisht ndahen nga paraardhësi i fundit para rreth 4000 viteve. Për sa i përket migrimit nga “Bosnja”, nuk ka evidencë gjenetike deri më tash. Në fakt, anëtarët e fisit Hoti për nga linja atërore më afër kanë shqiptarë të tjerë, që nuk i përkasin këtij fisi, dhe një grek, në një distancë rreth 1000 vjeçare. Gjithashtu në territorin e Bosnjës, nga ku mund të ketë ardhur i pari i tyre vetëm rreth shekullit XV, haplogrupi J2b-L283 ka një përqindje tepër të ulët, 1-3%. Sidoqoftë, është e mundur që janë të ardhur nga ndonjë zonë rreth Malësisë së Madhe.
Siç përmendëm më lart, në territorin e Hotit ka edhe familje “anase”. Me sa e dimë, deri tani nuk ka ndonjë të testuar për Y-DNA nga këto familje.