Në fokus Shoshi, Shala dhe Mirdita

Spread the love

Antropologji

Tradita që kemi trashëguar rreth origjines së këtyre fiseve në të shumtën e rasteve paraqesin tre vëllezër, të cilët nga zona e Pashtrikut lëvizën për të shpëtuar nga represaljet e pushtuesve të huaj, apo nga Shiroka e Suma siç thekson tradita alternative. Nuk kishin tjetër me nda përveç një shalë e një shoshë dhe u ngulën në këto vise të thella të Alpeve Shqiptare gjatë mesjetës së vonshme. Zog Diti, vëllaut që i ra hise vetëm një shalë kali, u vendos në Shalë. Mark Diti me një shoshë, u vendos në Shosh. Kurse Mir Diti, vëllau qe nuk i ra asgjë për hise, u vendos në Mirditë ku dhe formoj tre fiset apo bajraqet kryesore të kësaj zone siç i dimë: Oroshi, Spaçi dhe Kushneni.

 

Gjenetikë

Legjendat popullore të bartura prej mesjetës ose edhe më herët rreth farefisnisë janë shumë tërheqëse dhe njëkohësisht interesante për një studim të mirfilltë gjenetik. Më sipër sollëm vetëm një pjesë të gojëdhënave që na lidhin me temën rreth gjenetikës së këtyre fiseve, sepse historiografia e këtyre zonave është shumë më e ndërlikuar dhe e gjërë, gjë që edhe nuk jemi kompetent të flasim mbi të. Pyetja që neve na bën kurioz është se ku qëndrojnë këto legjenda apo tradita popullore përballë ADN-së. Jo veç për këto fise, por edhe për fiset tjera që kanë gojëdhëna të ngjashme apo edhe vetë përbërja e një prej këto fiseve në vetëvete. Kësaj here në fokus janë tre fiset e lartëpërmendura, por do t’i analizojmë vetëm Shalën dhe Mirditën sepse nuk arritëm të kemi asnjë të testuar nga Shoshi. Kurse Shala u testua vetëm pjesërisht; pjesëmarrja jo ajo që ne e dëshironim. Sidoqoftë, do mirremi më testet që kemi siguruar.

 

Metodologjia

Analizuam profilin e ADN-së përmes markerave STR (Short Tandem Repeats) në kombinim me SNP (Single Nucleotide Polymorphism) të lokalizuara në kromozomin Y – pra linjat atërore apo Y-DNA. ADN e klasifikuar vjen nga databaza e projektit Albanian Bloodlines, marrur nga kompanitë Family Tree DNA dhe YSEQ prej mostrave të pështymës të dërguara vullnetarisht nga anëtaret e fiseve në fjalë, përveç disa prej tyre që projekti i ka mbledhur në Shqipëri. Gjithsej bëjnë pjesë tetë persona dhe u zgjodhën bazuar në traditat e tyre familjare dhe fiseve që ju përkisnin. Të gjithë të vllazërive të mëdha e të njohura, siç vijojnë: tre anëtarë vinë nga Mirdita: Prenga nga Spaçi, Gjomarkaj nga Oroshi, dhe Musollaj nga Kushneni. Pesë anëtarët tjerë vinë nga Shala: Delija (Buçvataj) nga Gimaj, Shkambi (Dakaj) nga Nënmavriq, Martini nga Nicaj, Deliaj nga Pjolla, dhe Selaci nga Kosova (Shalë e Bajgores) – Delija i vllazërisë Gimaj e katër të fundit të vllazërisë Pecaj.

 

Rezultatet

  • Fiset nga Mirdita siç janë Oroshi, Kushneni dhe Spaçi janë homogjenë dhe rrjedhin nga një paraardhës të përbashkët siç e thekson edhe tradita, që ka jetuar para 700-400 viteve duke u nisur nga llogaritja e distancave gjenetike të anëtareve. Të gjithë i takojnë halpogrupit Paleo-Ballkanik dhe Proto-Ilir që është shumë i përhapur edhe në fiset tjera: J2b-L283; më saktësisht nëndegës J-PH2967, Y21045.
  • Shala gjithashtu janë homogjenë mes veti dhe rrjedhin nga një paraardhës të përbashkët siç e thekson edhe tradita, që ka jetuar para 700-400 viteve duke u nisur nga llogaritja e distancave gjenetike të antarëve. Këtu vlen të theksohet se në këtë grup bën pjesë edhe vëllazëria Gimaj që nganjëherë kontestohet apo thuhet se kanë origjinë të ndryshme nga fisi i Shalës. Të gjithë të testuarit e Shalës janë krejtësisht të një halpogrupi tjetër nga ai i Mirditës që gjithashtu duket se është shumë i vjetër në Ballkan e që supozohet se është përhapur me dyndjet Indo-Europiane: R1b-PF7562>PF7563.

Përfundimi i kësaj analize vendos qartë në dukje se fiset e Mirditës (Oroshi, Spaçi dhe Kushneni) nuk e ndajnë një paraardhës të përbashkët me fisin Shala. Afërsia që e mbajnë mend me shekuj deri sa edhe kanë sajuar martesat ndër veti siç është evidente tash për nga linjat atërore, nuk rrjedh nga ana gjenetike por duhet të jetë më shumë lidhje kulturore e fqinjësisë, e harraur mes brezave. Që është e drejtë të konkludojmë se me siguri ka të bëjë me njërin prej këtyre fenomeneve të njohura dikur si ‘vëllezër me pirje gjaku’, ‘vëllezër trojesh’ apo edhe ‘kumbari e flokëve’ etj – që kanë qenë bukur të përhapura e domethënëse në të kaluarën, e të rregulluara edhe me Kanun. Pa asnjë dyshim të gjitha këto së bashku flasin për një bashkëjetesë të shkëlqyer ndër shekuj dhe për një kontinuitet të pashkëputur të traditave, kulturës, e gjithashtu edhe gjenetikës Shqiptare në këto vise.

 

Shtesë

Shpresojmë në të ardhmen numri i mostrave të rritet që të kemi mundësinë të kompilojmë diçka më të plotë e të detajuar. Do ishte mirë në qoftë se Shoshi testohen, vllazëritë Gjolaj e Pepsumaj. Vllazëritë Thethi, Lotaj e Lekaj të Shalës, si dhe fiset anase/vendase nga këto krahina si Mavraj/Mavriqi, Bobi, Lopçi, Maleta?, Molliqi, Koprrati, etj, që të kuptojmë më mirë gjenetikën e fiseve të lartëpërmendura e gjithashtu si përfundim edhe etnogjenezën tonë.



Spread the love