Gjeografi
Fisi Berisha është një fis me shtrirje gjeografike në Shqipëri veriore, Kosovë, si dhe Maqedoni. Berisha llogaritet si fisi më i vjetër i Shqipërisë veriore. Sipas traditës gojore, gjenealogjia e fisit shkon deri ne shekullin e 14 në zonën e Pukës.
Fisi Sopi ka shtrirje në shumë vise të Kosovës dhe Serbi jugore. Ky fis ka edhe një prani të vogël në veri të Maqedonisë. Origjina e këtij fisi rrjedh nga zona gjeografike e fisit Morinë në verilindje të Shqipërisë, që korrespondon kryesisht me rajonin etnografik të Hasit ku gjindet edhe sot.
Gjenetikë
Sipas testimit gjenetik të Y-DNA apo linjës atërore nga Projekti Shqiptar i ADN-së, “Albanian Bloodlines”, shumica e madhe (6 nga 8) e anëtarëve të fisit Berisha nga rajone të ndryshme i takojnë haplogrupit Paleo-Ballkanik, E1b-V13. Shumica e madhe (6 nga 7) e anëtarëve të fisit Sopi nga rajone të ndryshme gjithashu i takojnë haplogrupit E1b-V13. Mirëpo, vetëm kjo e dhënë nuk mjafton për të përcaktuar sa afër janë dy persona, sepse mutacioni “V13” është rreth 5000 vjet i vjetër. Andaj, duke analizuar Y-DNA STR markerët e anëtarëve të fiseve në fjalë, shihet se të gjithë janë në një afërsi në afatin gjenealogjik. Sipas kalkulatorit paraardhësi i fundit i tyre ka jetuar para midis 600-1050 viteve. Profili modal i Y-DNA37 markerëve të tyre është: 13 24 14 10 17-17 11 12 11 13 11 31 15 9-9 11 11 27 14 20 30 14-17-17-17-17-18 9 11 19-21 16 12 17 19 30-33 11 10. Ky profil i Y-STR deri tani është karakteristik për anëtarët e fiseve Berisha dhe Sopi, dhe nuk është vërejtur në fise tjera. Një anëtar i tyre me këtë profil të STR ka bërë testin me rezolucion më të lartë (BigY nga FamilyTreeDNA), dhe si rezultat pozicioni filogjenetik nën E-V13 i këtij grupi është kështu: E1b-V13>CTS5856>Z5018>S2979>FGC33621>FGC33625, ose E-FGC33625>Berisha-Sopi Cluster. Mutacionin e fundit, pra E-FGC33625, e ndajnë para rreth 2700 viteve me një person nga Italia.
Shtesë
Sa i përket fisit Sopi, ka tradita gojore që e lidhin me Morinën si dhe me Thaçin, gjë që nuk qëndron sipas rezultateve të deritanishme. Në anën tjetër, nuk jemi në dijeni për ndonjë traditë gojore që e lidh me Berishën, siç kemi zbuluar në mënyrë shkencore në Projektin Shqiptar të ADN-së “Albanian Bloodlines”. Vlen të përmendet që fisi Berisha nuk ka lidhje gjaku me Berishën e Kuqe, apo Kuqi i Malit te Zi, që janë të konfirmuar nën E1b-V13>>Z16661. Pra, edhe pse te dy palët i takojnë haplogrupit E-V13, shihet se janë në nëndegë apo subklada të ndryshme. Më specifikisht ndahen nga paraardhësi i fundit i përbashkët para rreth 4000 viteve.
Së fundi, ka disa anëtarë te këtyre fiseve që nuk u takojnë haplogrupeve perkatëse të lartpërmedura, ose profilit të njëjtë të Y-STR. Natyrisht, nuk do të thotë që s’mund ta kenë origjinën nga territoret apo bajraqet historike të këtyre fiseve. Në anën tjetër, mund të ketë raste që familje me origjinë të ndryshme janë bashkuar fiseve në fjalë.