Përbërja Gjenetike e Shqiptarëve Sipas Linjave Atërore (2019)

Nga Flor Veseli dhe Alban Lauka. Kontribuan Arber Leku, Viktor Paloka, Nick Sylaj

Hyrje

Testimi i kromozomit Y është mënyra më e drejtpërdrejtë për të hulumtuar prejardhjen në vijë atërore. Meshkujt që i takojnë të njëjtit Y-haplogrup, kanë një paraardhës të përbashkët nga linja e babait. Duke patur një sasi të konsiderueshme rezultatesh, mund të studjohet përbërja dhe prejardhja gjenetike e një populli.

Më poshtë, Projekti Shqiptar i ADN-së, “Albanian Bloodlines”, bën publike të dhëna gjenetike të popullit shqiptar, nga kampioni më i madh e i hollësishëm gjenetik i mbledhur deri sot. Qëllimi parësor është që në studimin e historisë sonë, ashtu si në studimin e historisë së shumë popujve të botës tashmë, të dhënat gjenetike të shfrytëzohen si një burim i ri njohurish, i cili mund të integrohet me burimet historike, arkeologjike e gjuhësore për të krijuar një pamje sa më të plotë të së kaluarës. Gjithashtu, me prezantimin e disa gjetjeve të para, shpresojmë të nxisim një vetëdijësim më të lartë të shqiptarëve për mundësitë e rëndësishme që ofron kjo fushë në studimin e prejardhjes vetjake dhe kombëtare.

Qëllimi i këtij artikulli nuk do të jetë që të paraqesë cili Y haplogrup apo nëngrup i tij është më “shqiptar”. Shqiptarë jemi sepse vetë-përcaktohemi dhe duam të jetojmë si të tillë, ndajmë një gjuhë e të njëjtat tradita. Megjithatë, edhe në prejardhje, shqiptarët janë popull shumë homogjen, gjë që tregon se pavarësisht se secili ka vetëm një haplogrup të vijës atërore, shumica e haplogrupeve të mëposhtme mund të gjenden në vija të ndryshme paraardhëse të çdo shqiptari.

Të gjitha rezultatet që kemi në databazën e projektit janë mbledhur nga shqiptarët që kanë kryer teste gjenetike në kompanitë më në zë amerikane, gjermane dhe italiane në testimin kromozomit Y, dhe na kanë dërguar vullnetarisht rezultatin e tyre. Rezultatet e testeve standarte janë të gjitha nga FamilyTreeDNA dhe YSEQ. Këto teste tregojnë vlerat e 12-111 shënuesve kyç Y-STR (Short Tandem Repeats). Pastaj, sipas nevojës dhe dëshirës, një pjesë e të testuarve e kanë thelluar analizën me teste Y-SNP (Single Nucleotide Polymorphism), si dhe në disa raste me BigY ose NGS, që ofrojnë rezolucionin më të lartë. Këto teste kryhen nga FamilyTreeDNAFullGenomes dhe DanteLabs. Testet porositen direkt nga laboratorët e lartpërmendur dhe blihen nga anetarët e projektit, ose, në disa raste, mund të financohen nga donatorët ose vullnetarët.

Kampioni përmban rezultate nga trevat shqiptare, diaspora, arbëreshët, arvanitasit, si dhe nga minoritet etnike që jetojnë mes nesh. Duke qenë se shumica dërrmuese e testeve bëhen me interesin dhe sipërmarrjen vetjake të të testuarit, kampioni është kryesisht i rëndomtë. Kemi arritur të mbledhim rezultate nga të gjitha pjesët e trevave shqiptare, edhe pse disa prej tyre, si psh Maqedonia veri-perëndimore, Librazhdi apo Dukagjini, kanë një numër pak më të vogël se rajonet e tjera. Megjithatë, do të përpiqemi të japim një pasqyrë sa më të saktë rreth asaj që dihet deri më tani për Y-haplogrupet dhe nëngrupet e tyre që sot përbëjnë linjat atërore shqiptare, si dhe shpërndarjen e tyre në rajone të ndryshme.

Shpërndarja e deritanishme e Y-haplogrupeve të Projektit Shqiptar të ADN-së, “Albanian Bloodlines”, nga gjithsej 691 të testuar:

  • E1b-V13: 28.4%
  • R1b-M269: 19.5%
  • J2b-L283: 18.4%
  • I1-M253: 6.8%
  • I2a-M423: 6.7%
  • R1a-M417: 6.4%
  • J2a-M410: 4.1%
  • J1-M267: 3%
  • I2a-M223: 2.3%
  • G2a: 1.2%
  • J2b-M205: 0.6%
  • T1a-L131: 0.6%
  • E1b-M123: 0.6%
  • E1b-V22: 0.4%
  • E1b-M81: 0.3%
  • E1a-M132: 0.3%
  • I2-L596: 0.1%
  • I2-S21825: 0.1%
  • G1-M342: 0.1%
  • N1a: 0.1%

Duke analizuar STR dhe SNP të kromozomit Y, secilët nga haplogrupet e lartpërmendur i kemi zbërthyer në nëndegë dhe nëngrupe, të cilat zakonisht kanë histori të veçanta. Në vijim, po japim një analizë të shkurtër të nëndegëve që gjenden në popullatën shqiptare.

 

E1b-V13

Ky haplogrup rrjedh nga E1b-M78>Z1919>L618>V13.  Supozohet që ka levizur për në Ballkan dhe Europë rreth periudhës së neolitit nga ana e Levantit ose Afrikës veriore, dhe se mutacioni V13 ka lindur në Europën juglindore. Kjo përputhet edhe me ADN-në antike pasi dega paraardhëse e V13, E1b-L618 dhe E1b-M78, në eshtra antike është gjetur në kultura te ndryshme te periudhës së neolitit: në Kroaci (Dalmaci), në Hungari, dhe në kulturën e Kukuteni që gjendej rreth kufirit te sotëm të Moldavisë dhe Ukrainës. Edhe pse E-V13, sipas gjasave, mund të ketë origjinë neolite nga ndonjë kulturë e Ballkanit, shpërndarja moderne e tij daton në epokën e bronzit, ku shihet se ndahet në shumë nëndegë duke filluar para 4800 viteve, ose ~2800 p.e.r, dhe sidomos rreth periudhës së mesme të Bronzit. Sot ka një shpërndarje të gjerë ballkanike, kështu që mund të hamendësohet se ka qenë pjesë përbërëse e popullatave paleo-Ballkanike, siç ishin Ilirët, Trakët, Dakët, Grekët e Lashtë. Edhe pse një pjesë e konsiderueshme në Greqi mund të ketë lëvizur me Arvanitasit, Vllehët, si dhe migrimet e ndryshme ndër-ballkanike që kanë ndodhur para dhe pas rënies së perandorisë Romake.

Sipas studimeve anonime shkencore, përqindja më e lartë verehet tek shqiptarët, prej 25% deri më 35%, pastaj Grekët rreth 20%, dhe në shtetet sllave të jugut midis 10-20%.  Poashtu gjendet në përqindje të ulët në vise të ndryshme te Europës, si dhe përreth mesdheut. Fillimisht, E-V13 ndahet në dy degë kryesore, E-PH1246 dhe E-CTS5856. Të dyja janë vërejtur në projektin tonë. E para është më e kufizuar, dhe sot më së shumti vërehet në zonën e Shqipërisë veriore dhe Malit të Zi, kurse e dyta ndahet në nëndegë të ndryshme, prej të cilave E-Z5018 dhe E-Z5017 përbëjnë pjesën më të madhe.

Skema e E-V13
Skema e E-Z5017
Skema e E-Z5018

 

 

 

 

 

Siç mund të shihet në skemat e mësipërme, në degën E-Z5017, shumica e madhe e haplotipeve tanë bien nën E-CTS9320. Në përgjithësi, përhapja e grupeve që rrjedhin nga kjo degë është më e kufizuar, ndërsa grupi E-CTS9320>Z38456>BY4461 ka një shpërndarje më te gjerë nëpër viset shqiptare. Fisi i Kelmendit të Malësisë së Madhe poashtu janë në këtë degë, më specifikisht: E-CTS9320>Z16988>Z27131>BY62310. Ndërsa sa i përket degës E-Z5018, ka disa nëndegë me përhapje të gjerë. E-FGC11450>Y146086 është vërejtur prej në veri deri ne jug, por përhapjen më të madhe e ka në zonën e Kurveleshit. E-FGC11450>Cluster A, gjithashtu është vërejtur si në veri ashtu në jug. Megjithatë, subklada E-FGC11450 ka larmi më të lartë ne jug. Pastaj grupe tjerë të E-Z5018 kanë përhapje pak më të kufizuar. Disa nga këto janë: E-FGC33625>Berisha-Sopi Cluster, i cili në shumicë gjendet në Kosovë ku sipas projektit tonë aktualisht përbën rreth 40% të haplogrupit E-V13. E-L241>PH2180 kryesisht është vërejtur në veri, në disa fise gegë. E-Z5018>’Nivica Cluster’ gjendet kryesisht në Nivicë të Kurveleshit. Dhe E-Z16661>BY165837 vërehet rreth Malesise së Madhe në fisin Berisha e Kuqe (Kuqi) dhe një anëtar të fisit Trieshi. Gjithashtu kemi dy grupe te largët në subkladën E-Y145455, njëri grup është vërejtur në Kosovë, kurse tjetri në Shqipëri jugore. Vlen të përmendet që një numër më i vogël i haplotipeve të E-V13 kanë mbetur të paspecifikuar përshkak të mungesës së thellimit të analizës.

Shpërndarja e nëngrupeve të E-V13 që kemi identifikuar deri më tani vijon në hartat:

E-CTS9320>BY4461
E-CTS9320>Z16988
E-CTS9320>Te tjera
E-FGC11450
E-L241
E-FGC33625>Berisha-Sopi
E-Y145455
E-Z16661>BY165837
E-Z5018>Nivica Cluster

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

R1b-M269

R1b-M269 është sot haplogrupi më i përhapur në Europë. Haplogrupi R1b-M269 fillimisht është ndarë në R1b-PF7562 dhe R1b-L23, më pas edhe R1b-L23 është degëzuar në R1b-Z2103 dhe R1b-L51. Mendohet që bartësit e ketyre degëve, folës të gjuhëve Indo-Europiane, gjendeshin në Stepat e Ukrainës dhe Rusisë jugore deri në Epokën e Bronzit, kur u dyndën masivisht drejt perëndimit. R1b-L51 u përhap në skajet më perëndimore të Europës, ku sot arrin deri mbi 50% në disa shtete, kurse R1b-PF7562 dhe R1b-Z2103 u përqëndruan më tepër në Europën jugore dhe lindore.

Skema e R-M269
Skema e R-Z2705

 

 

 

 

 

Sipas statistikave të projektit tonë, R1b-M269 përmbledh rreth 18-20% të linjave atërore të shqiptarëve, përqindja më e lartë në Ballkan. Shifra të ngjashme paraqesin studimet që kanë mbledur të dhëna mbi shqiptarët e ShqipërisëKosovës dhe Maqedonisë. Degët më të përhapura ndër ne janë R1b-Z2103, R1b-PF7563 dhe R1b-L51.

R-M269>PF7563
R-M269>L51
R-M269>Z2103>Z2705

 

 

 

 

 

 

R-Z2103

R-Z2103 është dega më e përhapur e R1b-M269 në popullsinë shqiptare: në projektin tonë përfaqëson rreth 15% të linjave atërore. R-Z2103 ka qenë një ndër linjat kryesore të kulturave Indo-Europiane që u zgjeruan gjatë Epokës së Bronzit, dhe është gjetur në eshtra të lashta nga Stepat deri në Kroaci.

Pjesa më e madhe e bartësve të kësaj linje i takojnë nëndegës R-Z2103>Z2108>Z2110>CTS9219>BY611>Z2705. Përhapjen më të madhe, kjo linjë e ka në trojet shqiptare, më pas në disa pjesë të Malit të Zi e Sanxhakut. Në përqindje më të ulët gjendet në Greqi dhe Siçili, ku vërehet në zona arvanite dhe arbëreshe, si dhe në Maqedoni, Serbi e Bullgari. Mund të jetë dega me shpërndarjen më të njëtrajtshme në të gjitha trevat shqiptare, megjithatë pëqindjet më të larta janë në Malësi të Madhe e Malësi të Gjakovës, Mat, Skrapar, Labëri dhe në Rrafsh të Dukagjinit.

Duke parë shpërndarjen e sotshme të R-BY611 dhe nëndegëve të saj, mund të hamendësohet se zhvendosja nga Stepat drejt Mesdheut duhet të ketë ndodhur prej të paktën 3300-4600 vitesh (1300-2600 p.e.r). Të gjithë anëtarët e R-Z2705 kanë një paraardhës edhe më të vonë të përbashkët që ka jetuar para rreth 1500-1800 vitesh. Pasardhësit e tij janë përhapur vrullshëm në shekujt në vijim, duke u ndarë në disa linja të ndryshme që pasyrohen në skemën e mësipërme. Një pjesë e mirë e të testuarve nën R-Z2705>BY38894 nuk janë klasifikuar në ndonjë nëndegë më specifike pasi ky klasifikim kërkon një test me rezolucion pak më të lartë.

Përveç R-Z2705, në projekt kemi edhe rezultate nga degë të tjera të R-Z2103, konkretisht R-Z2108, R-Z2110, R-A12332, R-Y4364 dhe R-CTS9219*. Shumica e nëndegëve të R-Z2103 duhet të ketë mbërritur gjithashtu në Epokën e Bronzit, por për keto degë më të rralla, nevojiten më shumë rezultate dhe teste BigY/NGS për të verifikuar më së miri këtë hipotezë.

R-PF7562

Degëzimi i dytë më i përhapur i R1b-M269 ndër shqiptarët është R1b-M269>PF7562>PF7563. Edhe kjo degë gjen te shqiptarët përqindjen më të lartë në Europë, edhe pse jo më shumë se 4-5%. Nisur nga mosha dhe shpërndarja e nëndegëve, R-PF7563 mendohet se është bartur nga drejt Europës nga valët më të hershme të vërshimeve Indo-Europiane. Edhe pse ende nuk është gjetur në eshtra të lashta, ka gjasa që të ketë qenë pjesë e disa prej qytetërimeve europiane të Epokës së Bronzit. Sot, një nëndegë bartet nga fisi i Shalës në Dukagjin e Mitrovicë, një tjetër është e përhapur rreth Komanit dhe më rrallë në Kosovë e në Toskëri, dhe një nëndegë e tretë ka shpërndarje të rrallë por të gjerë në Shqipërinë e jugut. Ka edhe rezultate të tjera të veçuara, që me rritjen e kampionit dhe zbulimin e rezultateve të ngjashme, mund të vendosin nëndegë të reja.

R-L51

R-L51 është dega e tretë më e madhe e R1b-M269. Për momentin, përfaqëson rreth 1.5% të linjave atërore në projekt. Mutacioni R-L51 është më i përhapuri në Europën Perëndimore, ku ka mbërritur para rreth 4-5000 vitesh dhe ka përjetuar një zgjerim dhe diversifikim të menjëhershëm. Ka shumë zhvendosje popujsh që mund të kenë sjellë nëndegë të R-L51 mes shqiptarëve, duke filluar nga vërshimet kelte, lëvizjet brenda Perandorisë Romake, lidhjet e shumta me shtetet italiane, kryqëzatat, etj. Megjithatë, ka edhe mundësi që disa nëndegë të kenë qenë të pranishme që në periudhën ilire ose para-ilire. Testet BigY/NGS ose SNP-Pack mund të na ndihmojnë të kuptojmë diçka më tepër rreth prejardhjes së këtyre nëndegëve.

 

J2b-L283

Ky haplogrup quhet shkurt edhe J-L283. Rrjedh nga J2-M172>J2b-M102>J2b2-Z1825>J2b2a-M241>J2b2a1-L283 sipas nomenklaturës së ISOGG 2019. Bartësit e J2b-L283 duhet të kenë lëvizur drejt ballkanit midis epokës së neolitit dhe të bronzit nga drejtimi i Lindjes së Afërt, pasi J2b më e vjetër në eshtra antike është gjetur në Iranin veriperëndimor nga Neoliti i hershëm dhe një tjetër në Kaukazin verior nga Bronzi, i cili ishte pozitiv deri tek mutacioni L283.  Ka të dhëna që kjo lëvizje mund të jetë integruar në ndonjë valë indo-europiane të periudhës së Bronzit që kryesisht është vendosur në ballkanin perëndimor dhe gadishullin italian. Sot, përqindja më e lartë e J2b-L283 në botë vërehet në Ballkan, pikërisht tek shqiptarët, ku sipas studimeve shkencore përfaqëson rreth 15-25% të linjave atërore, pastaj nën Grek dhe Vlleh midis 5-10%, Itali afër 5% (veçanërisht në Pulia), në shtetet sllave të jugut nën 5%, dhe në viset tjera të Europës në një përqindje të ulët (1-3%). Në trevat shqiptare përqindjen më të lartë e arrin në Shqiperi veriore dhe Kosovë, ku sipas projektit tonë përbën rreth 25-30%, ndërsa më të ulët në Shqipëri jugore dhe qëndrore, prej 5% deri në 15%.

Shembulli më i hershëm i haplogrupit J2b-L283 në eshtra antike në Europë është gjetur në Dalmaci nga periudha e mesme e Bronzit, gjegjësisht datuar para rreth 3600 viteve dhe sipas gjasave në një kulture proto-Ilire. Meqenëse ishte pozitiv deri tek mutacioni J-Z597>Z2507, që është rreth 4400 vjet i vjetër, pra jo shumë më i vjetër se mosha e eshtrave ku u gjet, mund të thuhet me siguri të lartë që është një ndër Y haplogrupet me origjinë Ilire, pasi shqiptarët rrjedhin po nga e njëjta degë si dhe shpërndarja moderne e kësaj dege graviton në Ballkanin perëndimor dhe në anën tjetër të Adriatikut. Gjithashtu, në eshtra antike, J2b-L283 është gjetur në qytetërimin “Nuragic” në Sardenja nga periudha e vonshme të bronzit.

Fillimisht ndahet në dy degë, J-YP29 dhe J-Z600 para rreth 5400 viteve. E para, deri më tani është vërejtur në Sardenja dhe Europë perëndimore, kurse e dyta më së shumti në Ballkan dhe Itali. Brenda J-Z600, afër 98% e haplotipeve bien nën J-Z597, e cila fillon të diversifikohet para rreth 4500 viteve, që fillimisht ndahet në dy degë vëllazërore, J-Y146400 dhe J-Z2507. Të dyja janë vërejtur në mesin e shqiptarëve. E para me shtrirje më të kufizuar, vërejtur në zonën e Labërisë, ndërsa e dyta (J-Z2507) ndahet në dy nëndegë: J-Y15058, që edhe pse sot në një përqindje të ulët, diversiteti më i lartë vërehet në zonën e Dalmacisë (I4331 nga Dalmacia antike më specifikisht ishte në këtë nëndegë). Dhe e dyta, J-Z638 apo J-Z1296, diversitetin dhe përqindjen më të lartë e arrin në Shqipëri veriore dhe përreth.

Skema e J-L283
Skema e J-Z638, Z1296

 

 

 

 

 

 

 

Siç shihet në skemat e mësipërme, falë disa testeve me rezolucion të lartë (BigY/WGS), kemi identifikuar disa nëngrupe brenda këtij haplogrupi. Shqiptarët kryesisht janë në degën J-Z638, Z1296. Brenda kësaj dege, një pjesë e konsiderueshme bien në subkladën J-PH2967, e cila vërehet në formë të disa nëngrupeve. Pjesa më e madhe e haplotipeve janë nën J-PH2967>Y20899>PH1751, ose shkurtimisht J-PH1751, e cila ka një shtrirje të gjerë në etninë shqiptare prej në veri deri në jug, megjithatë, përqindja më e lartë vërehet në pjesën veriore, e sidomos në Kosovë. Pastaj vijon J-PH2967>Y20899>Y85522 me shtrirje në zonën e Mirditës dhe Pukës, kryesisht si linjë karakteristike e fiseve Oroshi, Spaçi dhe Kushneni. Ndërsa një degëzim i rrallë dhe i izoluar i J-PH2967 është vërejtur në krahinën e Matit. Gjithashtu, nën J-PH2967 kemi një anëtar i minoritetit vlleh nga Voskopoja. Ky nëngrup karakterizohet me vlerat DYS388=17, DYS389II=29 dhe duhet të ketë një distancë me grupet shqiptare që daton në antikitet. Subkladat tjera te J-Z638 që janë vërejtur mes neve janë J-Y23094, që ka shtrirje në Malësi të Madhe, por është vërejtur edhe në pjesën qëndrore, si dhe ne jug. Pjesa më e madhe e haplotipeve janë përcaktuar nën J-Y23094>Y82533. Pastaj J-CTS11100>”Hoti Cluster” ka një shpërndarje më të kufizuar, më konkretisht në Malësi te Madhe (linja e fisit Hoti), në zonën e Kukësit dhe Kosovë. Ndërsa J-Z631 është verejtur si në veri ashtu edhe në jug. Poashtu kemi edhe një nëngrup që eshte vërejtur në pjesën juglindore të Gegërisë karakterizuar nga DYS385b=19, GATAH4=11. Pozicioni filogjenetik i këtij nëngrupi brenda J2b-L283 është akoma i paspecifikuar si shkak mungesa e thellimit të analizës nga ndonjë anëtar.

Shpërndarja e nëngrupeve të J2b-L283 vijon në hartat:

J-PH2967
J-Y23094
J-CTS11100>Hoti Cluster
J-Z631
J-L283>Cluster A

 

 

 

 

 

 

 

I2a-M423

I2a-M423 është haplogrupi i katërt i përhapur mes shqiptarëve. Prejardhja e largët e kësaj linje është nga haplogroupi I, i cili ishte i pranishëm edhe në disa ndër valët e para të njeriut modern që populluan Europën. Shqiptarët që bartin haplogrupin I2a-M423 i përkasin kryesisht degës I2a-M423>CTS10228>Y3120. Nisur nga përqëndrimi i larmisë më të lartë të nëndegëve të tij, prejardhja e I2a-M423>CTS10228>Y3120 mendohet të jetë diku në trekëndëshin Poloni-Ukrainë-Bjellorusi, para rreth 2200-2400 vitesh. Shembujt më të hershëm të gjetur në gërmime arkeologjike, që janë pozitiv për mutacionin pararendës të kësaj dege, L621, vijnë nga Hungaria e shek. IX-X, dhe Polonia e shek. X. Duke parë diversitetin e shembujve ballkanik dhe shfaqjet e para në eshtra të lashta, mund të hamendësohet se kjo degë ka mbërritur në Ballkan që në Antikitetin e vonë ose Mesjetën e hershme. Bartës të këtij mutacioni mund të kenë qenë dyndjet e fiseve me prejardhje sllave, gjermanike, uralike apo avare që kanë lëvizur në atë periudhë nga Europa lindore drejt Ballkanit. Përhapjen më të madhe në botë, sot e ka në vendet e ish-Jugosllavisë, më pas në vendet e tjera të Europës lindore e juglindore.

Skema e I-CTS10288
I-CTS10288

 

 

 

 

 

Në projektin tonë, I2a-M423>CTS10228>Y3120 përfaqëson rreth 7-8% të linjave atërore, dhe ka disa nëndegë të cilat lidhen të gjitha në rreth 2200 vjet. Për shkak se asnjë prej anëtarëve të projektit nga kjo linjë nuk është testuar thellësisht, ende nuk kemi zbuluar ndonjë mutacion më të vonë që të përfaqësojë një nëndegë të veçantë shqiptare. Përhapjen më të madhe në trojet tona, kjo degë e ka në jug, sidomos në Shqipërinë juglindore, ku arrin rreth 15%, si dhe në Maqedoninë jug-perëndimore e Çamëri. Në veri, përqëndrimin më të lartë e ka në ultësirën mes Shkodrës e Ulqinit dhe në disa pjesë të Kosovës. Gjendet në sasi të konsiderueshme edhe mes arbëreshëve në Siçili e Kalabri. Në shpërndarjen e të I-CTS10228>Y3120, vërehet që në jug kemi përhapje të gjerë të nëndegëve që përmblidhen në grupin “Dinaric North”, kurse në veri është më e përhapur nëndega I-PH908, ose “Dinaric South”. Të dyja këto grupe kanë edhe shumë nëndegë që do të fillojnë të zbulohen me thellimin e testeve, e që mund të na tregojnë për lidhje më të ngushta mes bartësve të I-CTS10228>Y3120.

 

I1-M253

Bartësit e haplogrupit I1-M253, ashtu si edhe ata të I2a-M423, janë pasardhës të banorëve të parë të Europës. Haplogrupi I1-M253 është veçuar nga degët e tjera para rreth 27000 vitesh, mirëpo paraardhësi i përbashkët i gjithë bartësve të sotshëm të I1-M253 ka jetuar para vetëm 4600 vitesh. Rezultati më i hershëm I1 vjen nga Hungaria e Neolitit të vonë, ndërsa në Epokës e Bronzit ky haplogrup kishte mbërritur  në Skandinavi. Shpërndarja dhe diversiteti i degëve të sotshme sugjerojnë se shumica e bartësve të I1-M253 e kanë prejardhjen e largët nga Europa Veriore ose Qendrore.

Skema e I-M253

 

 

 

 

 

Ndër shqiptarë, degët më të përhapura janë I-Z63 dhe I-Z58. Të dyja këto mendohet se kanë mërritur në Ballkan gjatë Antikitetit të vonë, me vërshimet e fiseve gjermanike, gjë që mbështetet nga diversiteti i nëndegëve të tyre kryesore në Ballkanin perëndimor. Gjithashtu, I-Z63 është gjetur në një varrezë Lombarde (një fis me prejardhje nga Gjermania veriore) në Hungarinë e shek V-VI. Ndër trojet shqiptare, sot I1-M253 ka dendësinë më të madhe në Labëri dhe në Pukë. Gjendet në sasi të konsiderueshme edhe në disa pjesë të Kosovës që banohen nga fise me prejardhje nga Puka.

I-M253>Z58
I-M253>Z63
I-M253>L22

 

 

 

 

 

R1a-M417

R1a mendohet se ka prejardhje nga Stepat e Euroazisë, ku bashkë me R1b, përbënin bërthamën e linjave atërore të qytetërimeve të para indo-europiane. Ndërsa R1b u përhap vrullshëm drejt perëndimit gjatë Epokës së Bronzit, shumica e linjave europiane R1a qëndroi më në veri-lindje, edhe pse një linjë e R1a që është gjetur në një skelet proto-trak. Por vlen të përmendet që i takonte degës R1a-Z93. kurse R1a që sot gjendet ne Ballkan kryesisht i takon degëve R1a-Z280 dhe R1a-M458.

Skema e R-M417
R-M17>M458
R-M417>Z280

 

 

 

 

 

 

Brenda haplogrupit R1a, shqiptarët u takojnë degëve R1a-M458, ku nëndega më e përhapur është R1a-M458>L1029, dhe R1a-Z280 me nëndegën e saj më të përhapur R1a-Z280>CTS1211. Nisur nga mungesa në eshtra të lashta ballkanike dhe diversiteti modern i këtyre linjave, mund të hamendësohet se shumica e tyre kanë lëvizur drejt Ballkanit rreth Antikitetit të vonë ose Mesjetës së hershme në përghithësi me dyndjet sllave. Ka mundësi që të njëjtat lëvizje popullsish të kenë përfshirë edhe shumicën e grupit I2a-CTS10288>Y3120 dhe një pjesë të grupit I1-M253. Brenda grupit R1a-M458>L1029, mutacioni Y133383 apo “Dibra Cluster” dallon një linjë të veçuar rreth 1000 vjeçare e cila deri tani është gjetur vetëm mes shqiptarëve. Kjo linjë duket se është përhapur fillimisht nga Dibra, ndërsa sot ka pasardhës në rajone të ndryshme, Toskë dhe Gegë. R1a-M458>L1029>Y133383 është shembulli më i qartë i një linje të ardhur në Mesjetë, që duke u shkrirë herët me linjat paleo-ballkanike, duhet të ketë qenë pjesë integrale e etnogjenezës arbërore.

R1a përbën rreth 6% të linjave atërore në projekt. Në Kosovë pothuajse mungon, kurse në Shqipëri gjendet më shpesh në lindje dhe në jug.

 

Haplogrupet nën 5 përqind

J2a-M410 përhapjen më të madhe e ka në Lindjen e Afërt, Anadoll, dhe përreth Mesdheut. Në eshtra antike J2a më e vjetër është gjetur në periudhën e mezolitit në Iranin verior dhe një tjetër në rajonin e Kaukazit po në të njëjtën periudhë. Në Europë, përqindjen më të lartë e arrin në Greqi, sidomos në ishujt e mesdheut, dhe pastaj në Itali. Sipas projektit tonë dhe studimeve anonime, vërehet rreth 4% në popullatën shqiptare. Përhapjen më të madhe e ka në jug, rreth 6%, kurse në veri vërehet rreth 2%. Është një haplogrup me degëzime që datojnë që nga epoka e mezolitit dhe si rezultat secila prej degëve të J2a zakonisht ka një histori ndryshe nga të tjerat, kështu që duhet trajtuar degë pas dege. Megjithatë, disa degë duhet të kenë levizur për në Ballkan dhe Europë duke filluar nga periudha neolite (përmes bujqve), kurse një pjesë tjetër gjatë epokës së bakrit dhe të bronzit, kryesisht nga drejtimi i Anadollit dhe Mesdheut Lindor (edhe pse disa linja mund të kenë lëvizur më vonë).  Siç shihet në hartën e mëposhtme, pjesa më e madhe e haplotipeve tanë bien në degën J2a-M67. Disa haplotipe të tjerë janë në degën J2a-L25, ku në zonën e Himarës, dhe në një anëtar nga Gjirokastra, vërehet një nëngrup i veçantë me vlerën karakteristike, DYS454=12. Degë tjera që janë vërejtur nën ne janë: J2a-L70, J2a-L581, J2a-M319 (që në eshtra antike është gjetur në minoanë), J2a-SK1321J2a-FGC16096>L1064, si dhe J2a-SK1363>Y14434 (që në eshtra antike është gjetur në kulturën neolite të ashtuquajtur, Sopot, në Kroacinë veriore).

J2a

 

 

 

 

 

J1-M267 në përgjithësi ka një shtrirje që duket e ngjajshme me J2a. Pra, përhapja më e madhe vërehet në Lindjen e Afërt dhe pastaj rreth mesdheut. Origjina e lashtë duhet të jetë në trekëndëshin Kaukaz, Iran perendimor, Anadoll lindor. Në fakt, në eshtra antike, J1 më e vjetër është gjetur në rajonin e Kaukazit, shteti i Gjeorgjisë së sotme, në epokën e paleolitit, gjegjësisht para ~15 000 viteve. Duke filluar nga ajo periudhë, ndahet ne disa degë, midis të cilave: J1-P58, J1-Z18463, J1-Y6304, J1-PF7263. Në projektin tonë përfaqëson rreth 3% të linjave atërore (~4% nën Toskë dhe ~2% nën Gegë). Shumica e J1 që është vërejtur mes nesh është në degën J1-P58, që supozohet se origjinën e lashtë e ka rreth rajonit te Mesopotamisë. Sot, shpërndarjen më të madhe e ka në Lindjen e Mesme dhe Mesdhe. Lëvizja e linjave të J1-P58 për në Ballkan mund te ketë ndodhur duke filluar nga periudha e Bronzit përmes mesdheut. Ndërsa disa linja të tjera mund të kenë ardhur përmes Fenikasve, apo ndoshta edhe më vone si psh. në periudhën Romake. Brenda J1-P58, grupi më i përfaqësuar mes nesh është: J1-P58>Z1884>L829>DYS19=15, që është verejtur si në Gegë ashtu edhe në Toskë, që sugjeron se ka qenë pjesë përbërëse e etnisë shqiptare. Dega tjetër e J1 që është vërejtur mes nesh është J1-Z18463, e cila ka përhapje më të madhe në Europë.

J1

 

 

 

 

 

I2a-M223 ka një shtrirje të gjerë Europiane, e veçanërisht në Europë veriperëndimore. Në eshtra antike është gjetur në site të ndryshme të Europës, duke filluar nga Neoliti, përfshirë edhe në Europë juglindore. Megjithatë, shpërndarja moderne në Ballkan mund të jetë si rezultat i migrimeve të ndryshme. Në projektin tonë është vërejtur në 2-3% nga të testuarit. Më së shumti vërehet në jug. Rreth 50% e haplotipeve bien nën: I2a-M223>L701>S25733>A427, që është vërejtur si në jug ashtu edhe në veri. Ndërsa dy anëtarë që e kanë thelluar testimin me BigY bien nën: I2a-M223>L801>Y5282>Y84255 dhe I2a-M223>L801>Y5282>Y11774. Të dyja rezultatet kanë lidhje kryesisht me shembuj nga Europa veriperëndimore në një distancë rreth 2700 vjet deri tek paraardhësi i përbashkët. Kështu që mund të hamendësohet se këta linja kanë lëvizur me fiset Gjermanike.

I2a-M233

 

 

 

 

 

G2a mes shqiptarëve vërehet rreth 1-2%. Është një haplogrup që në Ballkan dhe Europë kryesisht ka levizur me bujqit neolitikë. Në fakt, testimi i siteve neolitike në pjesë të ndryshme të Europës, duke përfshirë Ballkanin, ka dëshmuar se haplogrupi G2a ka qenë linja dominuese e bujqve neolitikë të cilët migruan nga Anadolli në Europë midis 9000 dhe 6000 viteve më parë. Dy degë të G2a që janë vërejtur mes nesh janë G2a-M406 dhe G2a-L497. E para ka shpërndarje më të madhe në Anadoll dhe Europë jugore, kurse e dyta kryesisht në Europë. Sikurse për çdo haplogrup, testimi më i thellë mund te qartësojë prejardhjen e disa prej këtyre degëve.

 

J2b-M205 si pothuajse çdo degë e J2, origjinën e largët duhet ta ketë në rajonin Kaukaz – Iran perëndimor. Rrjedh nga J2-M172>J2b-M102>J2b1-M205 sipas nomenklaturës së ISOGG 2019. Ndahet nga dega J2b2 para rreth 16 000 viteve dhe kalon në një ‘bottleneck’ pasi paraardhësi i përbashkët i gjithë bartësve të sotshëm të J2b-M205 ka jetuar para rreth 5700 viteve. Në përgjithësi, shpërndarjen e ka të ngjashme me haplogrupin J1-P58 dhe disa degë të J2a. Në gërmime arkeologjike është gjetur në Lindjen e Mesme, duke filluar nga epoka e hershme e Bronzit që sugjeron se ekspansioni i J2b1-M205 duhet të ketë filluar nga ai rajon. Përhapja më e lartë arrihet rreth Mesdheut Lindor, veçanërisht në ishullin e Qipros. Bartësit e kësaj linje duhet të kenë lëvizur për në Ballkan dhe Europë duke filluar nga periudha e bronzit, hekurit, apo edhe më vonë siç është periudha Romake. Deri më tani në projektin tonë është vërejtur në katër anëtarë. Tre në jug, në zonën e Gjirokastrës (dy prej të cilëve përbëjnë nëngrup të përbashkët), dhe një në Kosovë që i përket nëngrupit J2b-M205>CTS1969>PH4306>Y22066, i cili nëngrup përbën pothuajse tërë haplogrupin J2b-M205 që vërehet në Ballkanin qëndror dhe perëndimor.

 

T1a ka një shpërndarje kryesisht rreth mesdheut. Disa linja duhet të kenë lëvizur drejt Europës duke filluar nga Neoliti pasi në ADN-në antike është gjetur në site neolitike në Europë juglindore dhe qëndrore. Në projektin tonë është vërejtur në katër anëtarë në formë të degës T1a-CTS933 e cila ka një shpërndarje duke filluar para rreth 7000 vitesh. Tre prej tyre janë nga Kosova, dy prej të cilëve përbëjnë nëngrup të përbashkët nën T1a-CTS933>CTS3767>CTS8862, kurse i treti me shumë mundësi përbën nëngrup të përbashkët me një anëtar nga Toskëria. Lëvizja e këtyre linjave mund të ketë ndodhur që nga Neoliti i vonshëm, apo më shumë gjasa, gjatë epokës së bronzit dhe nga drejtimi i Mesdheut Lindor.

 

Së fundi, në mesin tonë janë vërejtur edhe disa haplogrupe tjerë në numra të ulët, nën 0.5%, siç janë: E1b-M123, E1b-V22, E1b-M81, E1a-M132, I2-L596, I2-S21825, G1-M342, dhe N1a.

Si mund të kontribuoj?

• Ky projekt është i udhëhequr nga vullnetarë që kanë pasion për këtë fushë. Donacionet janë të mirëseardhura. Nëse dëshironi të na ndihmoni për të sponsorizuar teste, mund të ndiqni këtë link: https://www.familytreedna.com/group-general-fund-contribution.aspx?g=AlbanianBloodlines

• Ndërsa për ju që dëshironi të testoheni vetë, në linkun që vijon nën “Male Line Testing”, rekomandojmë Y-DNA37 ose rezolucion më të lartë: https://www.familytreedna.com/group-join.aspx?group=AlbanianBloodlines&code=B11086

 

 

 

Referenca

Allentoft, M. E., Sikora, M., Sjögren, K.-G., Rasmussen, S., Rasmussen, M., Stenderup, J., … Willerslev, E. (2015). Population genomics of Bronze Age Eurasia. Nature, 522(7555), 167–172. https://doi.org/10.1038/nature14507

Battaglia, V., Fornarino, S., Al-Zahery, N., Olivieri, A., Pala, M., Myres, N. M., … Semino, O. (2009). Y-chromosomal evidence of the cultural diffusion of agriculture in Southeast Europe. European Journal Of Human Genetics: EJHG, 17(6), 820–830. https://doi.org/10.1038/ejhg.2008.249

Broushaki, F., Thomas, M. G., Link, V., López, S., van Dorp, L., Kirsanow, K., … Burger, J. (2016). Early Neolithic genomes from the eastern Fertile Crescent. Science (New York, N.Y.), 353(6298), 499–503. https://doi.org/10.1126/science.aaf7943

Carlos Eduardo G. Amorim, Stefania Vai, Cosimo Posth, Alessandra Modi, István Koncz, Susanne Hakenbeck, … Krishna R. Veeramah. (2018). Understanding 6th-century barbarian social organization and migration through paleogenomics. Nature Communications, (1), 1. https://doi.org/10.1038/s41467-018-06024-4

Ferri, G., Tofanelli, S., Alù, M., Taglioli, L., Radheshi, E., Corradini, B., … Beduschi, G. (2010). Y-STR variation in Albanian populations: implications on the match probabilities and the genetic legacy of the minority claiming an Egyptian descent. International Journal Of Legal Medicine, 124(5), 363–370. https://doi.org/10.1007/s00414-010-0432-x

Fu, Q., Posth, C., Hajdinjak, M., Petr, M., Mallick, S., Fernandes, D., … Reich, D. (2016). The genetic history of Ice Age Europe. Nature, 534(7606), 200–205. https://doi.org/10.1038/nature17993

Grugni, V., Raveane, A., Mattioli, F., Battaglia, V., Sala, C., Toniolo, D., … Semino, O. (2018). Reconstructing the genetic history of Italians: new insights from a male (Y-chromosome) perspective. Annals of Human Biology, 45(1), 44–56.

Jones, E. R., Gonzalez-Fortes, G., Connell, S., Siska, V., Eriksson, A., Martiniano, R., … Bradley, D. G. (2015). Upper Palaeolithic genomes reveal deep roots of modern Eurasians. Nature Communications, 6, 8912. https://doi.org/10.1038/ncomms9912

Lazaridis, I., Nadel, D., Rollefson, G., Merrett, D. C., Rohland, N., Mallick, S., … Reich, D. (2016). Genomic insights into the origin of farming in the ancient Near East. Nature, 536(7617), 419–424

Marcus, J.H., C. Posth, H. Ringbauer, L. Lai, R. Skeates, C. Sidore, J. Beckett, A. Furtwängler, A. Olivieri, C. Chiang, H. Al-Asadi, K. Dey, Tyler A. Joseph, C. Der Sarkissian, Rita Radzevičiūtė, M.G. Gradoli, W. Haak, D. Reich, D. Schlessinger, F. Cucca, J. Krause, J. Novembre. (2018). Population history from the Neolithic to present on the Mediterranean island of Sardinia: An ancient DNA perspective. Marrë nga https://www.biorxiv.org/content/what-unrefereed-preprint me 31 maj, 2019

Martiniano, R., Caffell, A., Holst, M., Hunter-Mann, K., Montgomery, J., Müldner, G., … Bradley, D. G. (2016). Genomic signals of migration and continuity in Britain before the Anglo-Saxons. Nature Communications, 7, 10326. https://doi.org/10.1038/ncomms10326

Mathieson, I., Alpaslan-Roodenberg, S., Posth, C., Szécsényi-Nagy, A., Rohland, N., Mallick, S., … Reich, D. (2018). The genomic history of southeastern Europe. Nature, 555(7695), 197–203. https://doi.org/10.1038/nature25778

Neparáczki, E., Z. Maróti, T. Kalmár, K. Maár, I. Nagy, D. Latinovics, A. Kustár, G. Pálfi, E. Molnár, A. Marcsik, C. Balogh, G. Lőrinczy, S. Sándor Gál, P. Tomka, B. Kovacsóczy, L. Kovács, I. Raskó, T. Török. (2019). Y-chromosome haplogroups from Hun, Avar and conquering Hungarian period nomadic people of the Carpathian Basin. Marrë nga https://www.biorxiv.org/content/10.1101/597997v1 me 31 maj, 2019.

Peričić, M. mpericic@luka. inantro. h., Lauc, L. B., Klarić, I. M., Janićijević, B., Behluli, I., & Rudan, P. (2004). Y chromosome haplotypes in Albanian population from Kosovo. Forensic Science International, 146(1), 61–64. https://doi.org/10.1016/j.forsciint.2004.04.006
Ralph, P., & Coop, G. (2012). The geography of recent genetic ancestry across Europe. https://doi.org/10.1371/journal.pbio.1001555

Sarno, S., Tofanelli, S., De Fanti, S., Quagliariello, A., Bortolini, E., Ferri, G., … Pettener, D. (2016). Shared language, diverging genetic histories: high-resolution analysis of Y-chromosome variability in Calabrian and Sicilian Arbereshe. European Journal Of Human Genetics: EJHG, 24(4), 600–606. https://doi.org/10.1038/ejhg.2015.138

Schroeder, H., Margaryan, A., Szmyt, M., Theulot, B., Włodarczak, P., Rasmussen, S., … Allentoft, M. E. (2019). Unraveling ancestry, kinship, and violence in a Late Neolithic mass grave. Proceedings Of The National Academy Of Sciences Of The United States Of America. https://doi.org/10.1073/pnas.1820210116

Szécsényi-Nagy, A., Brandt, G., Haak, W., Keerl, V., Jakucs, J., Möller-Rieker, S., . . . Alt, K. (2015). Tracing the genetic origin of Europe’s first farmers reveals insights into their social organization. Proceedings: Biological Sciences, 282(1805), 1-9. Marrë nga http://www.jstor.org/stable/43600779 me 31 maj, 2019

Utjevska, O.M. The gene pool of Ukrainians in different systems of genetic markers: origin and place in the European genetic space. Marrë nga http://nrcrm.gov.ua/science/councils/dissertation/ me 31 maj, 2019.

Voskarides, K., Mazières, S., Hadjipanagi, D., Di Cristofaro, J., Ignatiou, A., Stefanou, C., … Deltas, C. (2016). Y-chromosome phylogeographic analysis of the Greek-Cypriot population reveals elements consistent with Neolithic and Bronze Age settlements. Investigative Genetics, 7, 1–14. https://doi.org/10.1186/s13323-016-0032-8


1 Comment Posted

  1. Punim goxha i arritur. Ju pergezoj per pasionin dhe impenjimin e vazhdueshem ne kete projekt interesant dhe ambicioz.

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*